Donald Trump po i bie nga Kina për paqen në Ukrainë. Presidenti amerikan, nisi udhëtimin e tij drejt Azisë, me shpresën se homologu i tij, Xi Jinping, do ta ndihmojë në zbutjen e Rusisë për ta detyruar Vladimir Putinin të ulet në tryezën e negociatave.
“Do të doja që Kina të na ndihmonte me Rusinë. Ne i vendosëm sanksione shumë të forta Rusisë. Mendoj se sanksionet do të jenë shumë të ashpra dhe të forta. Por do të doja ta shihja Kinën të na ndihmonte. Kam një marrëdhënie shumë të mirë, me Presidentin Xi. Do të takohemi, do të kemi një takim të mirë, jam mjaft i sigurt se do të kemi një takim të shkëlqyer. Por mendoj se do të bëjmë disa punë të mira. Një nga gjërat për të cilat do të flasim është Rusi-Ukrainë, ata po vrasin 7,000 njerëz në javë, kryesisht ushtarë. Sigurisht që do të flasim për këtë. Ai do të donte që edhe kjo të merrte fund”, tha Trump, përcjell A2 CNN.
Gjatë turit aziatik, Trump, shpreson që të takojë dhe liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un. “Do të doja ta takoja nëse ai do të kontaktonte. Herën e fundit që u takova, e bëra publike në internet se do të vij në Korenë e Jugut, nëse ai do të donte të takohej, jam i hapur. Ata nuk kanë shumë shërbim telefonik, kanë shumë armë bërthamore, por jo shërbim telefonik. Kam pasur një marrëdhënie të shkëlqyer me të dhe ai ndoshta e di që po vij, apo jo”, tha Trump.
Presidenti Donald Trump u udhëtoi nga Shtetet e Bashkuara për në Kuala Lumpur të Malajzisë për Samitin e 47-të të Liderëve të ASEAN-it. Gjatë turit aziatik, ai do të ndalojë dhe në Japoni. (A2 Televizion)
