
Pas vitesh të tëra të sulmeve ruse me dronë dhe raketa, grumbuj të copëzave të betonit janë shndërruar në problem të madh në Ukrainë.
“Nuk mund t’i hedhësh në deponi të mbeturinave, nuk mund t’i injorosh, madje as nuk mund ta përdorësh këtë beton për të mbushur gropat sepse nuk ka aq shumë gropa që duhet të mbushen”, tha për Radion Evropa e Lirë Leon Black. Eksperti për materialet infrastrukturore në Universitetin Leeds është një nga drejtuesit e S3RoU (rindërtimi i sigurt, i qëndrueshëm dhe i shpejtë i Ukrainës), nismë që udhëhiqet nga inxhinierët britanikë, ukrainas, holandezë, që po e shndërrojnë rrënojat e luftës në lëndë të parë ndërtimore.
“Para pushtimit rus, nuk kishte shumë vëmendje te reciklimi”, tha Black, duke përmendur rezervat e bollshme të gurëve dhe mineraleve në Ukrainë që përdoren për prodhimin e betonit. “Konflikti e ka bërë të qartë se ka shumë rrënoja për t’i groposur në depo të mbeturinave ose për t’i përdorur në ndërtime me cilësi të ulët”.
Projekt S3RoU përdor një teknologji të re për të shtypur, “praktikisht për të ndarë” dhe ngrohur mbeturinat prej betoni, duke i kthyer në përbërës bazë: zhavorr, rërë dhe pastë të tharë çimentoje.
Procesi shurdhues mekanik krahasohet me marrjen e një torteje dhe shpërbërjen e saj në miell, sheqer dhe vezë, prej të cilave bëhet një ëmbëlsirë tjetër.
Themeluesit e projektit pretendojnë se përbërësi i përfituar do të jetë 30 për qind më i lirë se përzierja origjinale e çimentos. Black tha se materiali i ricikluar është i përshtatshëm për shumicën e aplikimeve ndërtimore.
Shpërbërja e rrënojave emeton vetëm një pjesë të vogël të dyoksidit të karbonit që lëshohet nga prodhimi i çimentos së re, i cili është përgjegjës për 8 për qind të të gjitha emetimeve të gazrave serrë të shkaktuara nga njeriu në mbarë botën.
Qëllimi përfundimtar i S3RoU-së është krijimi i një flote “stacionesh mobile për ndarjen e betonit”, që do të mund të transportoheshin nga një vend në vendin tjetër në mbarë Ukrainën për të bluar rrënojat e çimentos dhe për t'i vendosur nëpër thasë.
Një impiant i tillë përpunimi u dërgua në Ukrainë gjatë kësaj vere për testim dhe aktualisht po iu nënshtrohet provave në periferi të Kievit. Produktet demonstruese, përfshirë pllaka trotuaresh prej betoni të përpunuar nga rrënojat dhe të stampuara me kodet QR për të promovuar projektin e riciklimit, aktualisht janë në fazën e planifikimit.
Nëse riciklimi i rrënojave në shkallë të gjerë bëhet realitet në Ukrainë, një nga rreziqet kryesore do të jetë azbesti i shkatërruar nga bombat. Ky mineral që shkakton kancer është i ndaluar që të përdoret në ndërtim në Bashkimin Evropian që nga viti 2005, por në Ukrainë u ndalua më 2022 dhe është i përhapur në gjithë vendin.
Black tha se po zhvillohej një detektor për asbestin, që dukej premtues, por kompania që qëndronte prapa këtij zhvillimi e anuloi produktin. “Pra, jemi kthyer në tavolinën e vizatimit, në pikën zero sa i përket mënyrës se si do ta trajtojmë këtë problem”, tha ai.
Oleksii Hunyak është një nga akademikët ukrainas që punon në projektin e financuar nga Britania. Shtëpia e tij në Lviv pothuajse u shkatërrua kur një raketë ruse goditi lagjen e tij, duke thyer dritaret e apartamentit të tij.
Ai tha se projekti i riciklimit “do të kontribuojë drejtpërdrejt në rimëkëmbjen e sigurt dhe të shpejtë të Ukrainës duke na ndihmuar të shndërrojmë mbeturinat e ndërtesave të shkatërruara në një burim për rindërtim të qëndrueshëm”. REL (A2 Televizion)
