
99,9% e ndërmarrjeve në Shqipëri janë biznese të vogla dhe të mesme. Vetëm 152 është numri i kompanive të mëdha, me mbi 250 të punësuar, ato që ndryshe njihen edhe si VIP-at.
Bizneset që rëndom na sheh syri në përditshmërinë tonë, SME-të janë më të pranishme në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor, si dhe në tregti e shërbime. Thënë ndryshe lokalet, restorantet, marketet, shitësit në tregje, etj.
Në veçanti mikrondërmarrjet, apo bizneset me deri në 4 punonjës, realizojnë 25,6% të shitjeve në vend, duke punësuar mbi 194 mijë individë, pjesa më e madhe e të cilëve janë të vetëpunësuar. Pra, e thënë ndryshe, më shumë sesa për peshën e tyre në ekonomi apo kontributin në buxhetin e shtetit, ato gjenerojnë vende pune dhe sigurojnë të ardhura për mijëra familje.
Biznese që ngrihen me pak kapital e që hasin vështirësi të shumta në gjetjen e tregjeve të reja. Zhvillimi i SME-ve në Shqipëri është nën mesataren e rajonit sipas OECD, ku si sfida kryesore shihen aftësitë menaxhuese dhe klima e dobët e investimeve.
Shumica e bizneseve të vogla në tregti e shërbime
Të dhënat zyrtare tregojnë se familjet shqiptare, ato që kryesisht zotërojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri hapin supermarkete ose pika të vogla tregtimi.
INSTAT raporton se 41,5% e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme janë në sektorin e tregtisë. Kjo pasi ky lloj aktiviteti nuk kërkon shumë kapital dhe as përgatitje profesionale. Sektori i dytë më i preferuar për SME-të janë shërbimet, me 20% të totalit. Bëhet fjalë kryesisht për bar kafe, parukeri dhe shërbime të tjera, ku përfshihen kryesisht zanatet.
Më pas, lista e sektorëve vijon me peshë gati të papërfillshme me sektorët e energjisë dhe ujit, si dhe industrisë nxjerrëse. (A2 Televizion)