
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, në një lidhje direkte me studion e Ditari në A2, u pyet mbi mundësinë e shtyrjes së vitit shkollor, në rast se shkollat nuk rinisin mësimin në datën 23 mars.
“Shpresojmë që të kthehemi në shkolla në datën 23. Nëse merret vendimi për shtyrjen e kësaj date, do të vijojmë mësimin “online”. Përsa i përket shtyrjes së përfundimit të semestrit, ky nuk është vendim për t’u marrë tani. Do të shohim situatën nga dita në ditë dhe në varësi të kthimit në shkollë dhe orëve të humbura, do të marrim një vendim”, deklaroi Shahini.
Në lidhje me procesin e Maturës, Shahini theksoi: “Për momentin, nuk kemi menduar plan B, pasi janë vetëm dy javë mësimi në shtëpi, ku kemi bërë edhe përforcim leksionesh për maturantët. Kemi bërë udhëzues për llojet e pyetjeve për testin e maturës. Po shpresojmë që mbylljen në shtëpi, maturantët ta shfrytëzojnë për t’u thelluar në mësime. Jemi ende në kohë”.
Ministrja theksoi se aktualisht, “mësuesit kanë krijuar grupe me klasat respektive ku japin instruksione për detyrat e shtëpisë”.
“85% e nxënësve janë të përfshirë në komunikim direkt me mësuesit e tyre, përveç orëve mësimore që transmetohen në RTSH, pasi mes shkollave mund të ketë dallime të vogla. Për zonat e thella që nuk kanë qasje në internet, shpresojmë që të kenë mundësi të shikojnë RTSH-në. Për një afat më të gjatë, do të shohim se si do të shtrihet rrjeti i internetit që të arrijë 100% të familjeve shqiptare”, tha Besa Shahini.
“Jemi befasuar për mirë nga kalimi nga klasa në mësimin “online”. Do të shohim se cili është efekti i mësimit “online” pasi na duhet jo vetëm për tani, por edhe për procesin e digjitalizimit të arsimit në Shqipëri”, shtoi Shahini. (A2 Televizion)