
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi pas lajmit se numri i viktimave në vendin tonë nga koronavirusi shkoi në 2.
“Është i trishtueshëm lajmi që një tjetër qytetar ka humbur jetën për shkak të komplikacioneve të shkaktuara nga COVID-19. Me këtë rast i shpreh ngushëllimet familjes së tij. Dua, gjithashtu, të përgëzoj dhe uroj ekipin e mjekëve dhe pacientin që mbrëmë e fitoi betejën me COVID-19”, tha Basha.
Më tej, kreu demokrat i kërkoi qeverisë që të pajisë mjekët urgjentisht me masat mbrojtëse.
“Prej ditësh kam shprehur shqetësimin për ekspozimin e mjekëve dhe stafit shëndetësor ndaj COVID-19. Fatkeqësisht sot kemi 9 raste të konfirmuara mjekësh të prekur nga Covid-19 si dhe dhjetra raste të tjera të vetëkarantinuar. Do ta përsëris edhe shumë herë të tjera pa u lodhur thirrjen ndaj qeverisë që të pajisë personelin shëndetësor me të gjjthë mjetet e duhura mbrojtëse si dhe të marrë urgjentisht masat për të ngritur ambjente të veçanta në spitalet rajonale për të pritur dhe trajtuar personat që kane shenja apo dyshime se mund të jenë prekur nga COVID-19. Kjo është mënyra e vetme për të mbrojtur stafin mjekësor kaq të domosdoshëm në këtë situatë të rënduar, por dhe pacientët e tjerë që kurohen në spitale. Mjekët dhe infermierët janë mburoja jonë, janë garancia për ta kaluar me sa më pak dhimbje këtë situatë tejet kritike. Qeveria duhet që në mënyrë emergjente të verë në dispozicion fonde për të blerë paisje mjekësore dhe tamponë të nevojshëm për të kryer ekzaminimet për COVID-19”, tha Basha. (A2 Televizion)