Mundja shqiptare është rikthyer te rezultatet e larta, falë dy djemve nga Çeçenia. Zelimkan Abakarov fitoi medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”, në peshën deri në 65 kg, teksa Islam Dudaev mori bronzin në peshën 74 kg. Nga eventi në Algjeri, dy mundësit që kanë ngritur lart flamurin kuqezi, vendosin të tjera objektiva madhorë.
“Ndihem i lumtur për medaljen e artë që i dhurova Shqipërisë në Lojërat Mesdhetare. I falënderoj të gjithë për mbështetjen. Fitova një garë të fortë, por nuk ka kohë për pushim. Menjëherë pas largimit nga Orani, nisin përgatitjet në Rusi për aktivitetet e radhës. Synoj t’i dhuroj të tjera medalje Shqipërisë. Objektiv i rëndësishëm është Botërori, sepse nëpërmjet tij sigurohet kualifikimi në Lojërat Olimpike të vitit 2024 në Paris”, deklaroi Zelimkan Abakarov , fituesi i medaljes së artë.

“Kam fituar medalje bronzi në Hungari, fitova bronzi edhe në Lojërat Mesdhetare. Synoja më tepër nga ky aktivitet dhe jam i bindur që mund të kisha arritur më shumë. Por, nuk demoralizohem dhe synoj më lart. Ka ardhur koha t’i jap medalje të artë Shqipërisë. Nuk është premtim, por një objektiv i qartë”, thotë ndërkohë Islam Dudaev.
Dy mundësit çeçenë të natyralizuar si shqiptarë, do të konkurrojnë në Lojërat e Solidaritetit Islamik nga data 9 deri më 18 gusht, ndërsa në mesin e shtatorit do të përfaqësojnë ngjyrat kuqezi në Serbi, në Botërorin e mundjes. (A2 Televizion)