
E zbuluar që në vitin 1974 bazilika e Shën Mëhillit në Arapaj të Durrësit cilësohet si një monument arkeologjik me mozaikun më të madh të zbuluar më një sipërfaqe prej 54 metrash katrorë. Dhe kur sheh që për ekzistencën e kësaj bazilike që daton që nga periudha e Justinianit të shekullit të 6, ka edhe një tabelë rrugore, çdo kush kuriozohet ta vizitojë, sidomos turistët e huaj.
Por fatkeqësisht kur mbërrin tek bazilika shikon se ajo nuk është trajtuar me kujdesin dhe rëndësinë që i takon. Barishte, si dhe vende-vende tokë e djegur janë pamja që të shfaqet. Madje edhe tabela që duhet të tregojë atë çfarë përfaqëson ky objekt arkeologjik është përgjysmë.
Fatmirësisht ciceronin e munguar, ofrohet të na e bëjë falas një banore e zonës, e cila tregon gjendjen në të cilën është lënë si dhe interesin e vizitorëve për ta parë.
Më pas zonja na tregon me keqardhje edhe vendin përreth si dhe një pjesë të mozaikut të zbuluar.
Ndërkohë ato që e kanë zbuluar këtë monument me mjaft vlera arkeologjike dhe kanë dekodifikuar përmbajtjen e mozaikut nuk pranuan të flasin për gjendjen në të cilën autoritetet e kanë lënë në harresë këtë zbulim si dhe punën e tyre. (A2 Televizion)