"Absolut 4": A patëm zgjedhje të lira?

Nga A2 CNN
22 Qershor 2021, 22:56 | Politikë
"Absolut 4": A patëm zgjedhje të lira?

Raporti i KiE për zgjedhjet, Krasniqi: Ka edhe deklarime jo korrekte, është një shikim i Shqipërisë gati nga ajri

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka publikuar raportin e saj për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri. Në dokumentin prej 15 faqesh të përpiluar nga vëzhguesit në terren të Asamblesë, evidentohet përfshirja e administratës në fushatë, apo përfitimi nga funksionet publike të kandidatëve.

Raporti përmend dhe shitblerjen e votës, si një fenomen të përhapur gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa kërkon nga autoritetet një investigim serioz.

Për këtë temë u diskutua mbrëmjen e së martës në Absolut 4. Analisti Afrim Krasniqi u shpreh se raporti ka edhe shumë deklarime jo korrekte, ku këtu iu referua shitblerjes së votës.

“Ka dallim të madh mes ODIHR dhe Asamblesë Parlamentare. ODIHR është më shumë ekspertizë, ka standardet e vlerësimit të zgjedhjeve, ndërsa Asambleja është një organ nga aktorë politikë dhe ka kompromise brenda deklaratës. Nëse shohim deklaratën ka shumë elementë që na bëjnë të ndjehemi mirë pasi shohim që janë reflektuar. Megjithatë ka edhe deklarime jo korrekte, pasi shitblerja e votës nuk bëhet nga partitë politike, por nga kandidatët e partive politike, ky është një dallim domethënës. Është një shikim i Shqipërisë gati-gati nga ajri”, u shpreh Krasniqi.

Më tej, Krasniqi u shpreh se zgjedhjet nuk kanë qenë më të mirat e Shqipërisë, por shumë larg nevojave që ka Shqipëria, por po ashtu, ai theksoi se këto zgjedhje kanë qenë shumë larg masakrës zgjedhore që pretendon opozita.

Krasniqi: BE e lodhur me Shqipërinë, si ai nxënësi që shkon 3 herë për vjeshtë dhe në fund merr notë kaluese

“Në zgjedhjet e 25 prillit dominuan prurjet nga biznesi dhe individët e fortë në zona të caktuara”.

Kështu u shpreh në A2 Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit të Studimeve Politike, ku u diskutua në lidhje me raportin e KiE për zgjedhjet e 25 prillit.

Ndërkohë, ai theksoi se Shqipëria vërtet mund të ketë marrë një notë kaluese, por është bërë e lodhshme për BE-në, e cila është detyruar t’i vendosë një pesë.

“Që nga viti 2009, deri sot, në çdo raport janë thënë që janë përdorur burime zyrtare në fushatë elektorale, i ka përdorur çdo palë politike dhe do t’i përdorë në mënyrë të vazhdueshme nëse nuk do të ndryshojnë sjelljet. Çështjet nuk janë bardhezi dhe detyra jonë është të shohim përtej tyre dhe ku është Shqipëria. Shqipëria, vërtetë mund të ketë marrë një notë kaluese, por është nga ato notat kaluese ku në gjuhën e pedagogut, kur ke kaluar 3 vjeshta radhazi dhe palët janë lodhur me ty, të thonë meriton një 5 për shkak se Bashkimi Europian duhet të japë një vlerësim për Shqipërinë”, u shpreh Afrim Krasniqi në Absolut 4.

Vlerësimi për 25 prillin, Prroni: KQZ kishte vullnet, por mungoi angazhimi nga të gjithë aktorët

Daniel Prroni, nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, ishte i ftuar në Absolut 4 ku u diskutua në lidhje me raportin e KiE për zgjedhjet e 25 prillit.

Ai u shpreh se pjesa më e dobishme janë rekomandimet më shumë sesa vlerësimi për zgjedhjet e kaluara, të cilat shërbejnë për reforma të mëtejshme.

“Përtej narrativave që subjektet zgjedhore mundohen të vendosin mbi procesin zgjedhor, nëse do të bënim një vlerësim në raport me nevojat dhe pritshmëritë, këtu shikojmë që nuk jemi dhe aq të kënaqur me performancën. Ne jemi angazhuar që me reformën zgjedhore, të cilën e cilësuam si jo transparente.

KQZ ka pasur një vullnet të mirë, por procesi zgjedhor garantohet nëpërmjet angazhimit të shumë autoriteteve. Ndoshta nuk ka pasur angazhim të të gjithë aktorëve për të garantuar cilësinë e zgjedhjeve”, tha Prroni.

Shella: Raporti i vëzhguesve të ODIHR për 25 prillin, “trëndafil” përpara raportit të fundit të KiE

Gerti Shella, drejtori i INFOCIP, i ftuar në Absolut 4, u shpreh se raporti i KiE për zgjedhjet e 25 prillit është më kritik sesa raporti i vëzhguesve të ODIHR.

Megjithatë, ai thekson se vetëm 3 nga 10 konkluzionet janë problematike në këtë raport.

“Raporti nxjerr 10 konkluzione dhe duhet të jemi korrekt me to. Nga këto 10, vetëm 3 janë problematike në raport me zgjedhjet e 25 prillit, është çështja e përdorimit të burimeve të administratës, çështjet e krimeve zgjedhore të dyshuara. Pati hedhje dyshimesh për krime zgjedhore nga partitë. Së treti, është çështja e një mjedisi pluhuri mediatik, ku nga ana tjetër graviteti profesional i gazetarëve nuk arrin dot të baraspeshojë atë që është graviteti i pronarëve të mediave. Kjo konsiderohet një nga problematikat që është konstatuar.

Raporti i KiE është më kritik sesa raporti i ndërmjetëm i ofruar nga vëzhguesit e OSBE/ODIHR, raporti i tyre është një trëndafil krahasimisht me një çështje problematike, ku unë nuk do të habitesha që opozita gjen aty të pasqyruara shqetësimet e tyre dhe mund të avancojnë narrativën politike”, u shpreh Shella.

Përdorimi i burimeve shtetërore në fushatë, Tase: Rama, kampion i raportimeve

Duke folur për përdorimin e burimeve shtetërore në fushatë, Erjon Tase, nga Akademia e Studimeve Politike, tha në “Absolut 4” se ndryshimet në Kodin Zgjedhor parashikonin çfarë duhej ndaluar nga KQZ por nuk e rregullonte si duhet me akte nënligjore atë që duhej ndaluar.

Sipas Tases në monitorimin e tyre prej 4 muajsh, kryeministri Rama ishte kampion i raportimeve të aktiviteteve shtetërore.

 “Ne e kemi ndjekur hap pas hapi dhe kemi sjellë dhe rekomandimet falë projektit tonë për monitorimin e zbatimit të kufizimeve për burimet shtetërore gjatë katër muajve. Nëse në raportet e para shikohej një mungesë informimi apo ndërgjegjësimi të zyrtarëve të lartë për të respektuar.

Pas janarit u pa që se 2-3 raste që KQZ nisi të hetonte që do të sillnin besoj një farë përgjegjshmërie tek këta zyrtarë, siç ishte rasti kryetarit të Bashkisë Tiranë. Kjo çështje u rrëzua nga shkalla më e lartë KAS-i. Edhe sot çështjes nuk i është dhënë një zgjidhje. Sigurisht që kjo ishte një goditje për KQZ por ne kemi theksuar se marrëveshja e partive për ndryshimet e kodit zgjedhor, të dakordësuara në një natë kur ulen bashkë përfaqësuesit e partive dhe iu thuhet që po nuk u dakordësuat nuk keni për të dalë prej këtej. Sollën një Kod Zgjedhor që parashikonte çfarë duhej ndaluar por nuk e rregullonte si duhet me akte nënligjore, nuk i jepte KQZ kapacitetet e duhura për të bërë një hetim të plotë, për ndaluar ato shkelje qe ishin parashikurar në Kod por dhe nuk kishte mundësi reale të monitoronte në terren çfarë ndodhte.

Ne mund të fajësojmë sot që KQZ nuk arriti të zbatonte vendimet por së pari duhet fajësuar vullneti i partive politike, që duhet të tregojnë një vetëpërmbajtje për të përdorur këto burime kur ndodhën në mazhorancë. Monitoruam fushatën zgjedhore kur ministrat ishin kandidatë. Po kështu kryeministri në katër muaj ishte kampion i raportimeve, zyrtari që nuk ka lënë aktivitetet pa raportuar. Ligjërisht është në rregull, por realisht gjithë aktivitetet ishin promovime dhe sjellin përfitime për të”., tha Tase. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos