
Gerti Shella, drejtori i INFOCIP, i ftuar në Absolut 4, u shpreh se raporti i KiE për zgjedhjet e 25 prillit është më kritik sesa raporti i vëzhguesve të ODIHR.
Megjithatë, ai thekson se vetëm 3 nga 10 konkluzionet janë problematike në këtë raport.
“Raporti nxjerr 10 konkluzione dhe duhet të jemi korrekt me to. Nga këto 10, vetëm 3 janë problematike në raport me zgjedhjet e 25 prillit, është çështja e përdorimit të burimeve të administratës, çështjet e krimeve zgjedhore të dyshuara. Pati hedhje dyshimesh për krime zgjedhore nga partitë. Së treti, është çështja e një mjedisi pluhuri mediatik, ku nga ana tjetër graviteti profesional i gazetarëve nuk arrin dot të baraspeshojë atë që është graviteti i pronarëve të mediave. Kjo konsiderohet një nga problematikat që është konstatuar.
Raporti i KiE është më kritik sesa raporti i ndërmjetëm i ofruar nga vëzhguesit e OSBE/ODIHR, raporti i tyre është një trëndafil krahasimisht me një çështje problematike, ku unë nuk do të habitesha që opozita gjen aty të pasqyruara shqetësimet e tyre dhe mund të avancojnë narrativën politike”, u shpreh Shella. (A2 Televizion)