Abuzoi seksualisht me nipin e mitur dy vite më parë, dënohet me 15 vite burg daja

Nga A2 CNN
12 Korrik 2023, 08:36 | Kronikë

Një 42-vjeçar nga Kosova është dënuar me 15 vite burg, pasi gjykata e shpalli fajtor për përdhunimin e nipit të tij të mitur para dy vitesh. Belul Kokollari u shpall fajtor për përdhunimin e nipit të tij, ngjarje e ndodhur më 4 nëntor 2021 në Prizren, ku i mituri kishte shkuar me pushime.

Gjykata e Shkallës së Parë Berat shpalli vendimin për shtetasin nga Kosova Belul Kokollari, i akuzuar për kryerjen e veprës së rëndë penale. Vendimmarrja e gjykatës u mbështet në provat e shqyrtuara dhe të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor të kësaj çështjeje.

Denoncimi në Komisariatin e Policisë së Beratit u bë nga nëna e të miturit, më 10 nëntor 2021. Ajo denoncoi në polici vëllain e saj Belul Kokollari, duke pretenduar se ai kishte abuzuar me djalin e saj të mitur.

Ajo deklaroi asokohe në polici se është shtetase kosovare dhe e martuar në Berat, ku jeton me bashkëshortin e saj në lagjen “28 Nëntori” dhe se çdo 3 muaj shkonte në Kosovë për të vizituar vëllezërit e saj.

Në datën 4 nëntor 2021, ajo ishte nisur me djalin e saj drejt Kosovës, ku ka qëndruar deri në datën 9 nëntor dhe kur ishte kthyer në Shqipëri djali i kishte treguar gjithçka. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos