
Administratori i inceneratorit të Fierit, Loran Dusha, nuk u paraqit në Komisionin Hetimor parlamentar ku ishte thërritur si dëshmitar, për shkak se ishte me Covid-19. Dëshmia e tij u riskedulua për një moment tjetër, ose do të kryhet online, tha kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku.
Edhe seanca e së enjtes u shoqërua me debate të shumta mes socialistëve e demokratëve në komision. “Ne penalizojmë gazetarin dhe mbrojmë Klodian Zoton dhe Stela Gugalljan. Raste të tilla skandaloze nuk kam parë. Shumica është e vendosur që ky komision të dështojë, siç kanë dështuar komisionet e tjera parlamentare. Kështu që unë nuk kam për të qenë pjesë e këtij komisioni apo e të tjerëve, derisa të miratohet një ligj që i jep atyre që kërkojnë ngritjen e komisionit, të kenë edhe shumicën në komision”, tha deputeti i PD-së, Edmond Spaho.
“Qëllimi i komisionit është të mbledhë fakte dhe nëse i gjykon t’ia përcjellë organit të akuzës. Sot, për herë të parë kemi paralelisht njerëz të arrestuar dhe njerëz në kërkim. Duhet të jemi të kujdesshëm në atë që bëjmë, në mënyrë që të mos bëhemi shkak për prishjen e provave për interesa politike”, iu përgjigj Arben Pëllumbi. (A2 Televizion)