Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zhvilloi një takim me sekretarin e Shtetit, Antony Blinken ku vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, të cilat këtë vit përkojnë dhe me 100 vjetorin e tyre.
Kreu i qeverisë shqiptare, në nisje të takimit, u angazhua se Shqipëria do të bëjë gjithçka që kjo miqësi të ruhet dhe për shumë kohë.
“Është nder të jesh me ju dhe kënaqësi që t’iu takojmë në fillim të vitit që shënon 100 vjetorin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat u ndërprenë brutalisht nga Shqipëria për të shkuar në një drejtim tjetër për më shumë se gjysmë shekulli, por ja ku jemi dhe e vlerësojmë këtë miqësi. Do të bëjmë çmos për të ruajtur këtë miqësi”, tha Rama.
Edhe sekretari Blinken vlerësoi bashkëpunimin me Shqipërinë në disa fusha dhe nuk la pa përmendur angazhimin e qeverisë dhe kryeministrit Rama për të pritur ndër të parë afganët e larguar nga lufta.
“Kam kënaqësinë t’iu mirëpres këtu në Departamentin e Shtetit duke na dhënë mundësinë të flasim për punët që SHBA dhe Shqipëria po bëjnë së Bashku në disa drejtime. Ne në fakt do të ulemi pranë njëri-tjetrit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Jemi mirënjohës për punën që po bëjmë atje së bashku. Por ajo që dua t’iu them është se në fillim të verës pasi njoftuam se do të largoheshim nga Afganistani ju ishit ndër të parët që pranuat strehimin e tyre. Ajo që ju bëtë është një nderim i madh tregon bujarinë e Shqipërisë, jam mirënjohës. Kemi shumë çështje sfiduese për të biseduar së bashku”, tha Blinken. (A2 Televizion)