
Për median kroate “Večernji list” foli hapur dhe pa dorashka. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zbuloi qëndrimet e tij për një sërë çështjesh me rëndësi, duke nisur me arsyen e kundërshtimit të fortë për iniciativën “Ballkani i Hapur”, e mbështetur nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
“Ballkani i Hapur është më shumë si Ballkani i hapur ndaj ndikimeve nga Lindja, veçanërisht nga Federata Ruse dhe Kina, si dhe i hapur ndaj korrupsionit, kriminelëve të luftës, në kundërshtim me vlerat europiane të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Duhet të jemi me Bashkimin Europian dhe jo të hapur ndaj Federatës Ruse dhe Kinës”, u shpreh Kurti.
Më tej, theksoi se Kosova nuk do jetë pjesë e kësaj iniciative derisa Serbia nuk hapet për Kosovën, duke i pranuar pasaportat, diplomat dhe dokumentet e tjera. Akuzat ndaj Beogradit nuk përfunduan me kaq.
“Gjithnjë e më shumë po tregohet se Serbia në Ballkanin Perëndimor po sillet si Federata Ruse, në të cilën Republika Srpska në Bosnje po përpiqet të bëhet Bjellorusi dhe ata duan ta kthejnë Malin e Zi në Ukrainë”, shtoi Kurti.
Ndër të tjera tha se problem i Kosovës është edhe Serbia. Zgjidhja përfundimtare në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian duhet të vijë përmes njohjes reciproke, pa ndryshime kufijsh, tha kryeministri Kurti.
Shqetësim të madh shprehu për faktin që Serbia po shpenzon aktualisht për armatosjen e ushtrisë më shumë të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor së bashku. Gjithashtu akuzoi presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, se dëshiron ta bëjë Kosovën një shtet jofunksional përmes Asociacionit të Komunave Serbe. (A2 Televizion)