
Banorët në Qerret të Shijakut pretendojnë se po përjashtohen nga bonusi i qirave edhe pse banesa e tyre ishte shpallur fillimisht e pabanueshme. Teksa takoheshin me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën ata denoncojnë mungesën e akt-konstatimeve të firmosura nga inxhinierët.
“Më e rënda është që në këtë gjendje që është shtëpia, ju thonë futuni brenda, letrën nuk jua japin dhe larg qoftë të ketë lëkundje, kjo ju zë brenda”, tha Basha. “Nuk jua japin me letër se thonë u futën vetë. Nuk ka inxhinier që e firmos këtë, sepse ai që e firmos shkon në burg”.
Ndërsa të tjerë denoncojnë parregullsitë në dokumentet zyrtare. Abuzim me bonusin e qirave, sipas PD, është bërë dhe në Manzë, ku kryetari i PS, edhe pse jeton në të njëjtën banesë u ka shpërndarë ndihma dhe akorduar bonus qiraje vetes dhe 2 familjarëve të tij.
Një tjetër denoncim i PD është dhe fatura prej 42 mijë eurosh e dekorimit të qytetit të Durrësit, në një kohë kur Mitrovica dhe Tetova fondin e dekorit ia dhuruan Shqipërisë për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti. (A2 Televizion)