
Kryeministri Edi Rama tha se brenda vitit 2021 personat që kanë humbur apartamentet e tyre nga tërmeti i 26 nëntorit do të kenë shtëpitë e reja. Ndërsa brenda vitit 2020, tha ai, banorët që kanë humbur shtëpitë në fshatra, do të akomodohen në shtëpitë e tyre të reja.
Gjatë një videomesazhi në Facebook, Kryeministri tha se deri tani Qeveria ka bërë më të mirën, edhe pse me siguri ka pasur plot të meta dhe gabime.
“Kemi sistemuar në kohë rekord mijëra e mijëra njerëz, që nga hotelet me 4 dhe 5 yje, shtëpitë dhe apartamente me qira. Kemi sistemuar edhe mijëra të tjerë në çadra dimërore në zonën e fshatit, nga ku me të drejtë nuk duan të lëvizin. Kemi angazhuar qindra ekspertë për të konstatuar shkallën e dëmeve. Kemi nisur punën e rindërtimit për njerëzit në nevojë me organizatat solidare, por edhe me arkitektë vendas dhe të huaj për rindërtimin e banesave”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se konferenca ndërkombëtare e donatorëve do të mbahet në Tiranë ndërsa tha se për këtë po përgatitet edhe një raport i detajuar me dëmet dhe pasojat nga tërmeti. “Rpaorti po shkruhet në bashkëpunim me ekspertë të BE dhe OKB të spoecializuar në këtë aspekt. Brenda vitit 2020 askush të mos mbetet pa perspektivën e qartë dhe konkrete. Brenda vitit 2020 të gjithë banorët që e kanë humbur shtëpinë, ta gëzojnë vitin e ri në një shtëpi të re, shumë më të bukur. Brenda qershorit 2021, të gjithë banorët që kanë humbur shtëpitë në qytete, të jenë me apartamente të reja”, tha Rama.
Hetimet mbi përgjegjësit
Gjatë paradites Policia e Durrësit njoftoi se kishte arrestuat 9 persona ndërsa kishte shpallur në kërkim 8 të tjerë, mes tyre drejtues lokalë, punonjës të institucioneve shtetërore, por edhe inxhnierë e ndërtues në rrethin e Durrësit. Mbi të arrestuarit rëndojnë akuzat e “shpërdorimit të detyrës”, “vrasje me dashje” dhe “vrasje në rrethana cilësuese”.
Veprimi u përshëndet edhe nga Kryeministri Rama, i cili tha se ato vazhdojnë intensivisht, “për të dokumentuar përgjegjësit e çdo kahu e niveli, për abuzimet në ndërtim. Hetimet vazhdojnë pa pushim, mos dëgjoni ata që “gamgamosin” përnatë në tendat mediatke pse nuk ka arrestime”, tha Rama.
“Opozita thuajse inekzistente, po nis të hedhë baltë”
Kryeministri nuk ka pa përmendur edhe opozitën, që sipas tij, ka qenë thuajse inekzistente në detyrën e saj. Megjithatë, ai përshëndeti kreun e PD, Lulzim Basha, “për vetëpërmbajtjen që tregoi ku u përpoq të mos bëhej i tepërt”. “Por ama nuk mund të mos e kritikoj për refuzimin absurd që të japë një dorë në këtë situatë. Nuk e di pse refuzon, por kjo është mungesë e plotë përgjegjësie”, tha Rama.
“Por meraku im është se, opozita dhe njerëzit rrotull Lulzim Bashës si fillim, ka nisur të japë shenjat e para të gjuhës së baltës, për t’ju mërzitur si zakonisht me gënjeshtra, shpife, akuza, apo me gjysmë të vërteta, që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha. Unë nuk dua të merrem me ta dhe nuk do të merremi me ta”, shtoi ai. (A2 Televizion)