Akuzat e ish-trajnerit, Panucci: Puna në Shqipëri, një gjysmë vetëvrasje

Nga A2 CNN
7 Shkurt 2020, 14:43 | Futboll

Christian Panucci në sulm. Sërish konfliktual, ashtu si situatat e shumta të krijuara në skuadër, nga Strakosha te Cikalleshi, për të vijuar me Mavraj e Xhakën. Tashmë, ish-trajneri kuqezi e cilëson “vetëvrasje” detyrën në stolin e Shqipërisë, ndërsa flet edhe kundër presidentit Armand Duka, njeriut që e mbështeti me kokëfortësi, kur të gjithë u bindën se me Panuccin, Shqipëria u kthye mbrapa në kohë.

“Kur mbërrita në Shqipëri, skuadra ishte e katërta në grupin kualifikues të Botërorit 2018. Në fund, u klasifikuam të tretët. Shqipëria është një vend i komplikuar. Nëse pas vitit 2016 kishte një stol të vështirë në Europë, ai ishte në Shqipëri. Vinin pas kualifikimit të parë në Europian, të pranojë punën aty ishte një gjysmë vetëvrasje, pasi vështirë se ajo arritje mund të përsëritej. Në kualifikueset e Europianit 2020 ishim në vazon e katërt. Pozicionimi në vendin e tretë në grup do të ishte një arritje, ndërsa vendi i dytë një mrekulli. Presidenti i Federatës dha deklarata të shëmtuara ndaj meje, por kur isha aty nuk ndërhyri për asgjë. Më la të punoja”, deklaroi ish-trajneri i Kombëtares.  

Christian Panucci

Deklarata erdhi pas fjalëve të Dukës, se ish-mbrojtësi i Milanit dhe Realit e zhgënjeu, sepse duke krijuar konflikte, nuk arriti të krijonte një klimë të mirë në skuadër. Përkundër premtimeve të mëdha, epoka “Panucci” në Kombëtare ishte padyshim një dështim.

Aventura që zgjati afro dy vjet u shoqërua me edicionin e dështuar në Ligën e Kombeve dhe start të dobët i kualifikueseve të Euro 2020. Rezultate që ndikuan në llogaritë finale dhe që sollën shkarkimin në mars të 2019-ës, pas humbjes në debutim me Turqinë. Panucci përfitoi pagën 20 mijë euro në muaj deri në nëntor, ndërsa polemikat me kreun e Federatës, lidhen me çështjen gjyqësore, ku pavarësisht shkarkimit dhe shlyerjes së detyrimeve, ish-trajneri pretendon edhe shpërblimin prej 57 mijë eurosh, për rezultatet që Kombëtarja i regjistroi pas largimit të tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos