
I ashpër ka qenë reagimi i Kryetarit të Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel, pas konfirmimit të akuzave për krime lufte ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-drejtuesve të tjerë të lartë të luftës së UÇK-së.
Sipas Radio Europa e Lirë, Engel kritikoi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar që pasi sipas tij, ka shënjestruar vetëm qytetarët e një etnie, shqiptarët.
“Dua të shpreh shqetësimin tim serioz lidhur me atë se si gjykata ka ushtruar mandatin e saj. Statusi që ka krijuar Gjykatën Speciale, nuk e ka kufizuar atë që të merret vetëm me shqiptarët. Ligji thotë se juridiksioni i gjykatës është për krimet e luftës që janë bërë në Kosovë gjatë një kohe të caktuar në periudhën e luftës. Fatkeqësisht, kjo gjykatë duket se vepron si një gjykatë etnike, që ndjek vetëm shqiptarë që pretendohet se kanë kryer krime”, tha Engel.
Më tej, zyrtari amerikan tha se do të kërkojë nga Departamenti amerikan i Drejtësisë që të monitorojë nëse Gjykata Speciale është duke vepruar sipas ligjit.
“E kuptoj se qeveria serbe dhe zyrtarët ushtarakë që kanë qenë të përfshirë në gjenocid janë larg fushëveprimit të Gjykatës Speciale. Por, kjo nuk do të thotë se ajo nuk duhet të hetojë dhe gjykojë keqbërësit sipas ligjit, qoftë edhe gjykime në mungesë. Prandaj, i bëj thirrje Departamentit amerikan të Drejtësisë që të ekzaminojë punën e Gjykatës Speciale dhe të sigurohet se nuk po shënjestron njerëzit vetëm në bazë të etnisë së tyre dhe bëj thirrje që të ndalohet mbështetja dhe bashkëpunimi i SHBA-së me këtë gjykatë, derisa të dalin përfundime lidhur me këtë çështje”, tha ai.
Sipas kongresistit Engel, të gjithë personat që kanë kryer krime lufte duhet të gjykohen.
“Dua ta bëj të qartë: Kushdo që ka kryer krime serioze të luftës duhet të gjykohet, pavarësisht etnisë. Por, shumica e krimeve të kryera në Kosovë gjatë kësaj periudhe janë kryer nga ushtria e Millosheviçit, gjatë fushatës gjenocidiale të spastrimit etnik. Kjo ngriti shqetësime serioze që edhe pse ligji që ka krijuar Gjykatën Speciale nuk përcakton etni, ky institucion ka ndjekur vetëm shqiptarët”, përfundoi Engel. (A2 Televizion)