
Pas padisë ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), Ardian Dvorani, Presidenti Ilir Meta është thirrur për t’u pyetur sot nga Prokuroria e Tiranës.
Pritet që presidenti Meta në deklarimet e tij të shpjegojë para prokurorëve akuzat ndaj Dvoranit dhe kallëzimin e bërë prej tij.
Më 19 nëntor, Kreu i Shtetit nënshkroi kallëzimin penal për “shpërdorim detyre” ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, duke e cilësuar këtë padi si një mundësi historike për Reformën në Drejtësi.
Padia e Presidentit u dorëzua në Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Meta u përplas me Dvoranin për procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, teksa tha se përzgjedhja u bë në mënyrë mafioze, duke e cilësuar kreun e KED një ushtar të verbër të partisë. (A2 Televizion)