
Ambasadori Italian Fabrizio Bucci vizitoi sot qytetin e Vlorës. Një vizitë kjo e vonuar nga masat kufizuese të pandemisë së koronavirusit, por që nuk e pengoi ambasadorin të shprehte vlerësimet për qytetin, të cilësuar “me karakter tipik italian, më duket sikur ndodhem në shtëpi”, dhe si një qytet me interes të madh për Italinë, nga pikëpamja ekonomike dhe turistike, ku sipas tij vitin e kaluar rreth 65 mijë italianë kanë pushuar në atë zonë.
Por ambasadori foli edhe për temat e nxehta të politikës shqiptare, si reforma zgjedhore dhe çështja e teatrit.
Për sa i përket reformës zgjedhore, Bucci deklaroi “se po ndjekim nga afër me shumë vëmendje reforma te tilla duhet të jenë të përbashkëta, dje pati hapa pozitive dhe shpresojmë se brenda 31 majit të ketë një konsensus”.
Për shembjen e Teatrit Kombëtar, ambasadori tha se “debati për teatrin ka zgjatur shumë, dhe u shndërrua në një fushëbetejë politike midis dy palëve. Këto polarizime nuk ndihmojnë në debatin mbi ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Qeveria vendosi të shemb godinën, por unë nuk besoj se është rol i një qeverie të huaj të vendosë çfarë mund të prishet dhe çfarë jo, atë që mund të bëjmë ne është të investojmë në programe dhe në dialog”. (A2 Televizion)