
Prokurorët në Shtetet e Bashkuara kanë ngritur akuza ndaj tre personave, të cilët i përshkruajnë si operativë të mbështetur nga Irani, për rolin e tyre të dyshuar në afro 20 sulme dhe tentativa sulmesh në SHBA dhe Evropë. Mes tyre përfshihet edhe një plan për të goditur bazën ajrore britanike të Fairfordit, përcjell A2CNN.
Departamenti amerikan i Drejtësisë deklaroi të martën se tre personat vepronin në mbështetje të Forcave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) dhe grupit irakian Kataib Hezbollah.
Ata u identifikuan si Mohammad Baqer Saad Dawood al-Saadi, Mohsen Mohajeri dhe Mohammad Ali al-Hassani, ndërsa ndaj tyre janë ngritur akuza për “vepra penale të lidhura me terrorizmin”.
Al-Saadi ndodhet aktualisht në burg në Nju Jork. Prokurorët nuk bënë të ditur vendndodhjen e Mohajerit dhe al-Hassanit.
Akuzat e bëra publike të martën lidhen kryesisht me bazën ajrore RAF Fairford, në jugperëndim të Anglisë, ku janë dislokuar forcat dhe bombarduesit amerikanë. SHBA-ja e kishte përdorur këtë bazë për të dislokuar bombardues gjatë luftës kundër Iranit.
Policia u thirr në zonën e Fairfordit në shtator, pasi një fermer vendas raportoi se kishte parë një grup burrash me disa furgonë të bardhë, të cilët po kryenin veprimtari të dyshimta.
Shtatë persona u arrestuan në lidhje me këtë incident, por të gjithë u liruan me kusht. Dy prej tyre u arrestuan sërish më vonë, nën dyshimin për ndihmë ndaj shërbimit të inteligjencës iraniane, dhe u akuzuan në bazë të Ligjit për Sigurinë Kombëtare të Britanisë.
Irani i ka mohuar me forcë të gjitha përfshirjet në këtë incident. (A2 Televizion)