Ambasadori Soreca kërkon zbatimin e marrëveshjes së 5 qershorit: Gjithëpërfshirje për Kushtetutën

Nga A2 CNN
15 Korrik 2020, 17:25 | Politikë
Ambasadori Soreca kërkon zbatimin e marrëveshjes së 5 qershorit:

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë bëri thirrje që amendamentet e Kodit Zgjedhor sipas marrëveshjes së 5 qershorit të miratohen. Luigi Soreca tha se njihet roli i Parlamentit edhe për miratimin e elementeve që prekin sistemin zgjedhor, por ato do të duhet të bëhen me të njëjtin mekanizëm gjithëpërfshirës si për marrëveshjen e 5 qershorit, e firmosur në Këshillin Politik nga tre palët në proces.

Gjithëpërfshirja është kyç kur bëhet fjalë për Reformën Elektorale, deklaroi ambasadori i BE-së.

“BE-ja e ka mirëpritur marrëveshjen e arritur më 5 qershor, ishte një arritje e rëndësishme, ishte një proces gjithëpërfshirës. Tani është e rëndësishme që kjo marrëveshje të zbatohet sa më shpejt. Ky është prioriteti kryesor, pasi marrëveshja parashikon inciativa të tilla si ngritja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lançimi i programit për identifikim elektronik. Ftojmë Parlamentin ta miratojë këtë marrëveshje sa më shpejt. Përmbyllja e Reformës Zgjedhore është kushti kryesor për hapjen e negociatave me BE-në, ndaj është shumë e rëndësishme miratimi i saj. Ne kemi parë që janë bërë disa propozime shtesë, të ashtëquajturat ndryshimet kushtetuese për sistemin zgjedhor. Këto nuk janë pjesë të rekomandimeve të OSBE-ODHIR-it. Janë jashtë tyre. Ne padyshim e njohim rolin e Parlamentit përsa i përket miratimit të elementëve shtesë të Reformës Zgjedhore në lidhje me sistemin zgjedhor. Ne inkurajojmë të gjithë palët e përfshira që të vazhdojnë diskutimet, dialogun, me të njëjtën frymë bashkëpunuese dhe me të njëjtin mekanizëm gjithëpërfshirës që u tregua gjatë miratimit të marrëveshjes së datës 5 qershor për Reformën Zgjedhore”, tha Soreca. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos