Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, deklaroi se vendi i tij duhet të përqendrohet në vendosjen e armëve taktike bërthamore në disa fusha, ndërsa kapacitetet për prodhimin e materialeve bërthamore po zgjerohen në mënyrë sistematike. Lajmi u raportua të enjten nga mediat shtetërore, përcjell A2 CNN.
Kim, i cili foli gjatë një inspektimi në objektet e prodhimit të materialeve bërthamore dhe kërkimit të armëve të mërkurën, deklaroi gjithashtu se statusi i Koresë së Veriut si shtet me armë bërthamore është “absolutisht i paprekshëm”.
Fotografitë e publikuara të enjten nga televizioni shtetëror KRT tregojnë Kim dhe zyrtarë të tjerë duke inspektuar pajisje që, sipas analistëve, ngjajnë me centrifuga gazi, të përdorura për pasurimin e uraniumit, si dhe koka bërthamore taktike të standardizuara, të ngjashme me modelin Hwasan-31.
Agjencia shtetërore e lajmeve KCNA nuk bëri të ditur identitetin e objekteve të inspektuara apo vendndodhjen e tyre. (A2 Televizion)