
Ambasadorja e SHBA-së në vendin tonë, Yuri Kim i bëri një thirrje të gjithë prokurorëve të cilët shërbejnë në sistemin e drejtësisë shqiptare që të mbrojnë shtetin ligjor.
“Reforma në Drejtësi solli ndryshime, tani është koha që prokurorët të rifitojnë besimin e publikut. Themelimi i SPAK-ut dhe BKH-së është hap vendimtar që do të ketë një qasje pro aktive ndaj hetimit dhe ndjekjes penale ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Shqipëria duhet të mbrojë shtetin ligjor, kjo nuk është një zgjedhje, kjo është një kërkesë. Kjo duhet t’i japë fund pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit, sepse këto janë dy pengesa që po e ndalojnë Shqipërinë që të bëhet aq e madhe saç mund të jetë”, tha Kim.
Ambasadorja Yuri Kim kërkoi të vazhdojë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar: “Përdorni mjetet e drejta të Reformës në Drejtësi. Merrni në dorën tuaj dhe përdorni fuqinë e plotë për të bërë më të mirën. Mos lejoni fajtorët të shpëtojnë, mos lejoni të pafajshmit të vuajnë. Shërbejini profesionit tuaj me nder dhe SHBA-ja do të qëndrojë krah jush”, shtoi Kim.
Reforma në Drejtësi, Soreca: Motori që e shtyn Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE
Ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, garantoi mbështetjen e BE-së, ndërsa tha se viti 2020 do të jetë vendimtar për Shqipërinë: “Ju do të keni mbështetjen e BE-së, ne do të kemi edhe një projekt për hetimet financiare duke ju dhënë këshilla nga prokurorë të BE-së. BE-ja ka përcaktuar 34 milionë për qëndrueshmërinë e reformës. Sistemi i drejtësisë në Shqipëri dhe reformat kanë dhënë një mësim të mirë se me punë dhe me vullnet të mirë për të ardhmen, shumë mund të arrihet. 2020 është vendimtar dhe për vitet në të ardhmen e afërt, fokusi duhet të jetë tek sistemi, të bëhet me efikas dhe më performues. Reforma në Drejtësi është motori që e shtyn Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE”.
Referuar raportit të KE-së, ambasadori tha se Shqipëria e meriton të ecë përpara, duke shpresuar në një vendim pozitiv të vendeve anëtare të BE-së për hapjen e negociatave.
Çela: Nuk ka burime njerëzore, ekziston rreziku i fragmentarizimit
Kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ngriti si shqetësim mungesën e burimeve njerëzore në organet e drejtësisë. Sipas tij, magjistratët po largohen si pasojë e procesit të rivlerësimit kalimtar.
“Organet e drejtësisë po ballafaqohen me mungesa të theksuara në burime njerëzore për shkak të largimeve të magjistratëve nga procesi i rivlerësimit kalimtar, ndërkohë që një pjesë e madhe e magjistratëve janë ende në proces apo nuk e kanë nisur procesin. Shtimi i ngarkesës së punës në çdo prokurori ka krijuar një situatë emergjence, pasi ndërsa jemi në vitin e katërt të reformës, ende nuk ka një perspektivë të qartë se kur sistemi do të funksionojë me kapacitete të plota”, deklaroi Çela.
Duke u ndalur tek koncepti i pavarësisë, sipas tij, ekziston rreziku i fragmentarizimit të aktivitetit hetimor: “Prokuroria është organi që ka pësuar ndryshimet më drastike nga reforma. Decentralizimi dhe pavarësia e prokurorëve u vlerësuan si zgjidhjet më të mira për ta bërë prokurorinë efikase, ndërkohë që gjykatës i është dhënë një pushtet edhe më i madh në fazën e hetimit, për të garantuar interesin publik dhe të drejtat e subjekteve. Ndryshimi i kulturës së funksionimit brenda një organizate është faza më e vështirë e çdo reforme që synon ta ndryshojë rrënjësisht atë. Kështu dhe për prokurorinë, zbatimi i konceptit të pavarësisë është sfida më e vështirë për t’u kapërcyer. Raportet e reja që ligji ka krijuar mes drejtuesve dhe prokurorëve kanë krijuar paqartësi brenda zyrave, ndërsa ekziston rreziku i fragmentarizimit të aktivitetit hetimor si rrjedhojë e praktikave të ndryshme në mungesë të një autoriteti centralizues”. (A2 Televizion)