Trump bisedë telefonike me Zelenskyn, diskutojnë për armët dhe përshkallëzimin e sulmeve ruse

Nga A2 CNN
4 Korrik 2025, 17:34 | Bota

Trump bisedë telefonike me Zelenskyn, diskutojnë për armët

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të premten se ka biseduar për mbrojtjen ajrore me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe se janë pajtuar për të punuar për rritjen e aftësive të Kievit për ta "mbrojtur qiellin" teksa sulmet ruse po përshkallëzohen.

Zelensky shkroi në llogarinë e tij në Telegram se me liderin amerikan folën gjithashtu rreth prodhimit të përbashkët në industrinë e mbrojtjes, si dhe për blerjet dhe investimet e përbashkëta.

Ukraina ka kërkuar nga Uashingtoni që t’i shesë më shumë raketa dhe sisteme Patriot, të cilat i sheh si tejet të rëndësishme për t’i mbrojtur qytetet e veta nga bombardimet përshkallëzuese nga Rusia.

Një vendim i Uashingtonit për t’i pezulluar disa dërgesa armësh për Ukrainën e ka nxitur Kievin të paralajmërojë se kjo do t’i dobësonte aftësinë e tij për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore ruse dhe përparimet në fushëbetejë.

Gjermania tha se është në bisedime për blerjen e sistemeve mbrojtëse ajrore Patriot për ta mbushur boshllëkun.

Një ditë më parë, Trump tha se zhvilloi një telefonatë zhgënjyese me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Rusia goditi Kievin me sulmin më të madh me dronë që nga fillimi i luftës në kryeqytet, vetëm disa orë pas bisedës së Trumpit me Putinin të enjten.

Zelensky e quajti atë sulm “të qëllimisht masiv dhe cinik”.

Ndërkohë, kancelari gjerman, Friedrich Merz, bisedoi me Trumpin për mundësinë që Gjermanisë të blejë sisteme mbrojtëse ajrore Patriot për Ukrainën, sipas një zëdhënësi të qeverisë gjermane.

Merz ishte iniciator i telefonatës me Trump për t’i promovuar dërgesat e armëve në Ukrainë, veçanërisht raketat Patriot, pas vendimit të Pentagonit për të pezulluar disa dërgesa, tha zëdhënësi për Reuters të premten./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos