Temperaturat përvëluese që kanë përfshirë edhe vendin tonë kanë rritur ndjeshëm rastet e helmimeve në popullatë. Shërbimi i Toksikologjisë në QSUT është në fluksin e punës. Mjekët thonë se këtë periudhë vere janë shtuar ndjeshëm urgjencat nga intoksikimet e alkoolit, shpesh i përzierë me substanca narkotike.
Të rinjtë mbi 18 vjeç , djem dhe vajza, janë pacientët më të shpeshtë që kërkojnë ndihmën e mjekëve toksikologë dhe kryesisht pas festave në fundjavë.
“Kemi më shumë festa, pra kjo rrit më shumë intoksikacionet”, thotë për A2 CNN Matilda Kambo, mjeke toksikologe. “Për shkak të vapës njerëzit konsumojnë më shumë pije alkoolike, duke menduar se i freskon, por alkooli jep toksicitet. Dhe duke qenë se është vapë, rritet mundësia që të intoksikohemi më shpejt”.
Por në këtë të nxehtë, përdorimi i alkoolit mund të bëhet shkak për helmime të rënda deri në humbje jete. “Mund të kemi edhe raste në koma alkoolike”, thotë Kambo. “Në momentin që mund të kemi tension të lartë apo të ulët, kjo e ndërlikon edhe më shumë situatën”.
Në shërbimin e toksikologjisë nuk kanë munguar edhe urgjencat nga kafshimet e gjarprit dhe pickimet e merimangës së zezë. Thuajse çdo ditë në QSUT, 1 deri 2 pacientë, kryesisht fermerë, drejtohen me urgjencë për shkak të helmimit nga gjarpërinjtë. “Shenjat e para janë dhimbja, shenjat e dhëmbëve... Këshilla që ne japim të gjithë njerëzve është që ata nuk duhet të lidhin plagën, nuk duhet ta çajnë plagën, por të shkojnë drejt një qendre spitalore më të afërt”, thotë Kambo për A2 CNN.
Në shërbimin e urgjencës, të shumtë kanë qenë dhe turistët të cilët kanë kërkuar ndihmë për shkak të teprimit më alkoolin, përdorimit të lëndëve narkotike dhe helmimit nga kafshimi i gjarpërinjve. (A2 Televizion)