Apolonia, kampione e Kategorisë së Parë, fiton në finale ndaj Kastriotit

Nga A2 CNN
22 Korrik 2020, 22:57 | Futboll
Apolonia, kampione e Kategorisë së Parë, fiton në finale

Pas Tiranës, futbolli shqiptar ka njohur edhe një tjetër kampione për këtë sezon, atë të Kategorisë së Parë, ku Apolonia e Fierit triumfoi pasi fitoi 2-1 në finale ndaj skuadrës së Kastriotit.

Krutanët kaluan të parët në avantazh me anë të Ajazit në minutën e 40, pas një aksioni të bukur në zonë, por ky avantazh ka vijuar vetëm për 3 minuta pasi Apolonia ka baraspeshuar me anë të Redon Mihanës, në minutën e 43-të të fraksionit të parë të lojës.

Me këtë rezultat finalistët e Kategorisë së Parë, që edicionin e ardhshëm do garojnë në Kategorinë Superiore, janë drejtuar drejt dhomave të zhveshjeve për pushimin e pjesës së parë.

Në pjesën e dytë të kësaj ndeshje ka vijuar një sfidë e luftuar, ku në minutën e 67 Ajazi ka realizuar një autogol duke kaluar skuadrën fierake në avantazh.

Me këtë rezultat KS Kastrioti 1-2 FK Apolonia, është mbyllur finalja e këtij kompeticioni, ku skuadra e qytetit të Fierit shpallet kampione. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos