
Barra më e rëndë e shtetit dhe individit, post pandemi e post tërmet, për Shqipërinë, rezulton të jetë padyshim ekonomia.
INSTAT ka publikuar të dhënat që tregojnë se ekonomia shqiptare pësoi një rënie me 2,52% dhe parashikon që zymtësia nuk e ka fundin këtu, Dhoma Amerikane e Tregtisë, e cila mat klimën e biznesit dhe madje nuk i referohej periudhës së krizës, flet për rënien më drastike në 8 vitet e fundit. Orët e fundit, një vulë të radhës ekonomisë i jep edhe një monitorim në distancë, që ka realizuar Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, komentoi në “Ditari” në A2 situatën ekonomike ku ndodhet vendi ynë. Ai theksoi se rritja ekonomike e ushqyer nga borxhet është një rritje varfëruese, e cila kërkon një reagim sa më parë.
“Ka qenë e qartë dhe ne e kemi theksuar, se nëse nuk do të kisha masa proaktive, ekonomia jonë rrezikohej të zbriste edhe më poshtë. Tani dhe jo më vonë nevojiten strategji, projekte, për të kapërcyer krizën. Konstatimi i FMN-së është i trishtueshëm, por një parashikim i tillë është bërë edhe nga ekonomistë shqiptarë. Është e papranueshme se si qeveria aktuale po e menaxhon krizën e pandemisë. Ajo që theksoi një ditë më parë kryeministri është një kambanë alarmi, pasi duhet të ndalet rritja ekonomike me rritje borxhesh, e cila është një rritje varfëruese dhe bëhet pararendëse e një krize edhe më të thellë, një krize sociale e politike. Duhet të reagojmë në kohë. FMN asiston 189 vende dhe nuk ka asnjë interes konkret t’i hedhë benzinë zjarrit, por e ka detyrim ligjor të skanojë ekonomitë e vendeve që në kohët e shfaqjes së sëmundjeve, jo pasi ato përhapen”, u shpreh në A2 Arben Malaj.
Teksa komentoi deklaratën e fundit të FMN-së, ku kritikohet plani i qeverisë për periudhën 2020-2029, Malaj theksoi se FMN nuk është thjesht një donator apo një partner, deklaratat e tij ndikojnë në tregjet globale. “Nëse qeveria shqiptare nuk do të japë një përgjigje për shqetësimet e FMN-së dhe do të vazhdojë projektin 1,2 miliardë, do të kemi një situatë me ngadalësim të investimeve të huaja, ndoshta edhe një ngurtësim të përkohshëm dhe pandemia do të na godasë më rëndë”, tha Arben Malaj. (A2 Televizion)