A2 Business Week/ Klima e biznesit, ekspertët: Korrupsioni përbën problem

Nga A2 CNN
1 Korrik 2020, 20:47 | Ekonomi
A2 Business Week/ Klima e biznesit, ekspertët: Korrupsioni përbën

Të bësh biznes në Shqipëri nuk është aspak e lehtë, përkundrazi po bëhet gjithmonë e më e vështirë. Në këtë përfundim ka arritur Dhoma Amerikane e Tregtisë, e cila ka publikuar Indeksin e Biznesit, ku shënohet rënia më e fortë në 8 vite, me 23 nga 27 indikatorë gjithsej që rezultojnë të përkeqësuar.

E problemet nisin me klimën politike, monopolet dhe konkurrencën e pandershme, gjetjen e stafit vendas të kualifikuar; performancën e ekonomisë shqiptare; klimën e biznesit; nivelin e korrupsionit; ekonomine informale; burokracitë; nivelin e taksave; politikat e qeverisë.

Zana Guxholli, eksperte për ekonominë, deklaroi në “A2 Business Week” se “në këto 7 vite, investitorët e huaj kanë shitur investimet e tyre ose janë larguar nga Shqipëria” sepse, sipas saj, “të bërit biznes në Shqipëri është bërë shumë i vështirë dhe këtë e tregojnë të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare”.

“Prisnim që të ecnim përpara në rrugën e klimës së të bërit biznes, por jemi në pozicione që nuk kemi qenë ndonjëherë. Raportet vënë në pah korrupsionin, gjë që është e papranueshme. Ne nuk jemi konkurrues në rajon, pasi na mungojnë incentivat që kanë vendet rreth nesh. Dëm të madh po i bëjnë Shqipërisë edhe koncesionet, pasi këto çojnë në politikë klienteliste dhe në përqendrimin e parave të investimeve në pak duar”, shpjegoi Guxholli.  

"Politikat fiskale duhen shoqëruar me politika rregulluese që të përmirësojnë klimën e biznesit. Paratë që kemi marrë tani si ndihma, hua apo grante, janë 1 miliard euro. Biznesi nuk është ndihmuar, jo më të nxitet", shtoi Guxholli.

Ndërsa Albert Gajo u shpreh se “më parë,ndryshimet fiskale shumë të shpeshta dhe konkurrenca e lirë përbënin shqetësim për biznesin, ndërsa sot ka shqetësim për korrupsionin në nivele të larta dhe monopolet”.

Gjithashtu, sipas Gajos, “mungon një strategji kombëtare që të tregojë se cilat janë prioritetet dhe cilat do të jenë investimet për të mbështetur këtë strategji”.

“Kjo ka bërë që çdo 3 vite të dalë një kryeministër dhe të hedhë ide të reja. Mungesa e strategjisë bën që investitorët e huaj të mos mbështesin këto projekte të qeverive shqiptare”, deklaroi Gajo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos