Një banor i Sidneit përjetoi një surprizë të frikshme kur thirri ekspertët e zvarranikëve për të larguar disa gjarpërinj nga kopshti i tij – dhe ata zbuluan plot 102 gjarpërinj të fshehur në një grumbull dheu, shkruan A2 CNN. David Stein, banor i Horsley Park, një periferi rreth 30 kilometra larg qendrës së Sidneit, kishte parë disa gjarpërinj në kopshtin e tij dhe vendosi të telefononte ekspertët për ndihmë.
Gjatë operacionit, gjuetari i gjarpërinjve Dylan Cooper gjeti pesë gjarpërinj të rritur dhe 97 të sapolindur, një fenomen i rrallë, sipas Cory Kerewaro, pronarit të organizatës së shpëtimit të zvarranikëve.
Bëhej fjalë për gjarpërinj të zinj me bark të kuq, një specie helmuese që njihet për mbledhjen e femrave në grupe gjatë lindjes. Megjithatë, dëshmia e një lindjeje të përbashkët me dhjetëra gjarpërinj njëkohësisht është një ngjarje jashtëzakonisht e rrallë.
Një nga femrat e kapura madje lindi gjarpërinj të tjerë brenda çantës së transportit. Në total, procesi i nxjerrjes së gjarpërinjve zgjati rreth tre orë.
Stein e përshkroi përvojën si të frikshme dhe tha se e ndjeu veten më të qetë pasi gjarpërinjtë u larguan. Ai dhe bashkëshortja e tij kishin lexuar më parë se këto zvarranikë mblidhen për të lindur, gjë që i bindi të kërkonin ndihmë profesionale.
Ekspertët e dërguan të gjithë gjarpërinjtë në një park kombëtar, ku do të mund të jetojnë larg zonave të banuara. Fatmirësisht, ata u kapën në kohën e duhur, përpara se të përhapeshin në lagje. (A2 Televizion)