Conference League, Egnatia përballet me Universitatea Craiova për 3 pikë

Nga Dea Kozma
5 Nëntor 2026, 13:37 | Futboll

Egnatia përgatitet për një tjetër provë në arenën europiane. Kampionët e Shqipërisë udhëtojnë drejt Rumanisë, ku të enjten, më 5 nëntor, në orën 21:00, do të përballen me Universitatea Craiova, në ndeshjen e tretë të fazës së ligës në Conference League.

Trajneri Nevil Dede përballet me disa probleme në formimin e skuadrës. Mungesa më e rëndësishme është ajo e Eljon Sotës, i cili ndodhet në Barcelonë, ku i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale pas dëmtimit të rëndë në kyçin e këmbës. Një tjetër mungesë është Ildi Gruda, i cili nuk ka arritur të rikuperohet në kohë pas dëmtimit të pësuar ndaj Tiranës, shkruan A2.

Në krahun tjetër, lajmi pozitiv për teknikun është rikthimi i Eneo Bitrit, i cili është rikuperuar dhe do të jetë një alternativë për repartin defensiv. Ndërkohë, vendin e lënë bosh nga Sota në listën europiane e ka marrë Ledjo Beqja.

Përballë do të jetë një kundërshtar në formë të mirë. Craiova vjen pas fitores 2-1 ndaj Botosanit dhe numëron 4 pikë pas dy takimeve europiane, ndërsa Egnatia ka grumbulluar 2 pikë, pas dy barazimeve, përfshirë atë 1-1 ndaj Aarhusit.

Për rrogozhinasit, objektivi është të marrin pikë në një transfertë të vështirë dhe të mbajnë gjallë ambiciet për vazhdimin e aventurës europiane. Një sfidë ku Egnatia do të duhet të tregojë karakter, pavarësisht mungesave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos