Koralet në rrezik, aktivistët synojnë t’i shpëtojnë nga ndryshimet klimatike

Nga Anxhela Celibashi
17 Prill 2024, 07:07 | Lifestyle

Instruktorja e zhytjes, Carmela Sevilla, mendoi se gjeti në Filipine, vendin e përsosur për të pushuar, por ajo ka gjetur më shumë se kaq, një motiv që e afron më shumë me natyrën.

Në qytetin bregdetar Bauan, habitati i koraleve është në rrezik, pasi kjo zonë është vazhdimisht e prekur nga fatkeqësitë natyrore si tajfunet, por dhe pengesat e bëra nga njeriu si mbetjet plastike dhe peshkimi me dinamit.

Ajo  shpreson që të rrisë numrin e koraleve përballë këtyre kërcënimeve mjedisore, kështu që hartoi një plan për të filluar mbjelljen e fidanishteve të koraleve në të gjithë bregdetin. Krijimi i këtij kopshti natyror ka për qëllim që të zbusë sadopak efektet negative të ndryshimeve klimatike dhe fenomenit të rrezikshëm të zbardhjes së koraleve.

Sevilla është e vetëdijshme se projekti i saj nuk do ndalojë fenomenin e ndryshimeve klimatike, por shpreson të ruajë një pjesë të koraleve.

“Unë mendoj se qëllimi nuk është të bëjmë një ndryshim kaq të madh, të jemi në gjendje të ndalojmë ndryshimin e klimës ose të jemi në gjendje të krijojmë një ndikim të madh në ruajtje", tha ajo.

Projekti i Sevillës është ende në fazë eksperimentale dhe shkalla e rritjes është shumë e ngadaltë vetëm një ose dy cm në vit, Sevilla dhe ekipi i saj shpresojnë të rimbjellin koralin e shpëtuar përsëri në natyrë, pasi të kenë bërë një rimëkëmbje të konsiderueshme, proces që mund të zgjasë me vite.

Filipinet gjenden në trekëndëshin koral dhe është shtëpia e mbi 600 llojeve të koraleve dhe 2000 llojeve të peshqve, sipas Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës.

Sipas Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike të SHBA-së, pjesë të Filipineve mund të përjetojnë një ngjarje të zbardhjes së koraleve në tre muajt e ardhshëm.

Bota deri më tani është ngrohur me 1.2 gradë celsius mbi nivelet paraindustriale dhe provat shkencore sugjerojnë se bota tashmë ka arritur një pikë kthese katastrofike në të cilën 70% deri në 90% e shkëmbinjve koralorë të botës parashikohet të vdesin nën një ngrohje të tillë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos