I ftohti polar mbërrin në Itali, reshje bore në disa zona

Nga A2 CNN
21 Nëntor 2025, 18:12 | Bota

I ftohti polar mbërrin në Itali, reshje bore në disa zona

Bergamo dhe provincat e saj shënuan reshjet e para të borës këtë të premten. Bora ra me shumicë në male, por edhe në qytetin kryesor të rajonit dhe lugina.

Ndërsa nuk u raportuan probleme të mëdha në rrugë, reshjet e dëborës shkaktuan ndërprerje në rrjetin hekurudhor, me disa anulime trenash dhe vonesa të shumta nga Bergamo në Milano dhe anasjelltas.

Bora ra edhe në zona të tjera të Lombardisë, ndërsa Milano përjetoi të ftohtë therës, por jo dëborë. Sistemi i presionit të ulët që ka prekur të gjithë Lombardinë pritet të zhduket gjatë fundjavës.

Një autobus që transportonte rreth dyzet nxënës të shkollës së mesme përjetoi një moment të tmerrshëm kur rrëshqiti në asfaltin e akullt dhe përfundoi anash, duke bllokuar korsitë.

Mjeti doli anash në një kthesë pikërisht përpara një argjinature. Për fat të mirë, shoferi arriti të frenonte dhe autobusi u ndal në rrugë. Askush nuk u lëndua, por të gjithë pasagjerët mbetën të bllokuar. Zjarrfikësit ndërhynë për të pastruar rrugën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos