Një qytezë e tërë në Kentucky, SHBA, ka dalë në treg për vetëm 350 mijë dollarë, por “perlës” historike i mungojnë kushtet e banimit modern. Prona prej 9 hektarësh në Mount Vernon përfshin dhjetë kabina të vjetra druri, një kabinë gjuetari, një dyqan të përgjithshëm, një punishte farkëtari, një kishë të viteve 1800, një zyrë postare dhe një shkollë, shkruan A2 CNN. Në letër tingëllon si një mundësi e rrallë, aq më tepër që çmimi është më i ulët se mesatarja e një banese në SHBA, por vetëm një prej ndërtesave është e banueshme dhe asaj i mungojnë shërbimet moderne.
“Pjesa më e madhe e tokës është pyll dhe me terrene të pjerrëta, ndaj do të duhej shumë punë për ta zhvilluar”, tha agjentja e pasurive të paluajtshme Victoria Caldwell për Realtor.com.
Megjithatë, prona ka një histori të veçantë. Ish-pronari i saj i mblodhi kabinat nga vende të ndryshme të Kentucky-t me qëllim restaurimin dhe ruajtjen e tyre. Ajo është përdorur herë pas here si bar, për vizita turistike dhe madje edhe për dasma familjare.
Qyteza ka edhe “kredenciale hollivudiane”: ka shërbyer si skenë e një qyteti të braktisur në filmin horror The Devil Below, ku luan aktori Will Patton.
Mobiliet e brendshme, që ruajnë frymën e shekujve të kaluar, janë gjithashtu pjesë e çmimit, përveç disa sendeve familjare.
Sipas listimit, prona ofron mundësi të shumta: të kthehet në destinacion turistik, në hapësirë për ngjarje dhe dasma, mund të jepet me qira, ose thjesht në një vendbanim unik e të qetë, mes natyrës.
Prona ndodhet në Hummel Road, pranë zonës turistike të Renfro Valley, vetëm pak minuta nga qyteti i Mount Vernon. (A2 Televizion)