Ky është mbreti më i pasur në botë

Nga A2 CNN
22 Shtator 2025, 17:26 | Lifestyle

Ky është mbreti më i pasur në botë

Është e vështirë të gjesh një figurë më të çuditshme e më ekstravagante sesa mbreti i Tajlandës, Maha Vajiralongkorn, i njohur zyrtarisht si Rama X. Koleksioni i tij personal përfshin 17 mijë prona, 38 avionë privatë, mbi 300 makina luksoze dhe plot 52 anije të arta ceremoniale. Një pasuri që duket e pabesueshme, por që për monarkun është pjesë e përditshmërisë.

Rama X u ngjit në fron në vitin 2016, pas vdekjes së babait të tij, mbretit legjendar Bhumibol Adulyadej. Me kurorën trashëgoi edhe një pasuri prej rreth 43 miliardë dollarësh, çka e bëri menjëherë mbretin më të pasur të globit. Por, ai ka ditur të investojë me kujdes, duke i shtuar trashëgimisë së tij edhe fitime të reja.

17 mijë pronat e tij vetëm në Bangkok gjenerojnë të ardhura të mëdha nga qiratë, ndërsa projektet luksoze të ndërtimit në zona kyçe të kryeqytetit i kanë shumëfishuar fitimet. Rama X zotëron gjithashtu aksione në kompani strategjike të energjisë dhe telekomunikacionit, duke ndërtuar një perandori ekonomike që shkon përtej trashëgimisë familjare, shkruan A2 CNN.

I lindur si djali i vetëm i mbretit Bhumibol dhe i mbretëreshës Sirikit, Vajiralongkorn u përgatit që herët për rolin e tij. Ka studiuar në akademi ushtarake në Australi dhe Britaninë e Madhe, ndërsa është trajnuar edhe si pilot avionësh e helikopterësh. Në rini mori pjesë në misione ushtarake brenda vendit, duke kombinuar aspektin ushtarak me luksin e pakufishëm.

Rama X mbetet një figurë kontradiktore: një mbret mes traditës së shenjtë të Tajlandës dhe ekstravagancës së pafund, simbol i një vendi të ndarë mes devotshmërisë dhe shkëlqimit të tepërt. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos