Onemor: “Spotify i Fitness-it” për Gjeneratën Z

Nga A2 CNN
10 Tetor 2025, 11:58 | Lifestyle

Onemor: “Spotify i Fitness-it” për Gjeneratën Z

Për gjeneratën Z, ose siç njihet ndryshe Gen Z, stërvitja nuk është më një rutinë e mërzitshme në palestër, që shpesh na shtyn ta anashkalojmë. Ajo është bërë pjesë e një kulture të re, dinamike, të lidhur ngushtësisht me rrjetet sociale, videot e shkurtra, sfidat e përbashkëta dhe komunitetet e reja që lindin dhe frymëzojnë. Pikërisht këtë eksperiencë ofron Onemor, platforma e re që synon të bëhet “Spotify i Fitness-it”.

Në vend të programeve të gjata dhe monotone, përdoruesit kanë fleksibilitetin të zgjedhin midis komuniteteve që përfaqësojnë stile të ndryshme: Titan, që simbolizon forcën; Blaze (HIIT ose stërvitje me intensitet të lartë); Aura, një ndjesi çlirimi dhe energjie pozitive që sjell yoga dhe pilates; apo Nomad, për ata që preferojnë të ushtrohen në shtëpi, pa pajisje. Çdo stërvitje, pavarësisht stilit, është e strukturuar për t’u përshtatur me ritmin dinamik të jetës së përditshme, duke qenë motivuese dhe e thjeshtë për t’u ndjekur.

Platforma në fakt i ngjan një loje: përdoruesit fitojnë XP points, “luftojnë” çdo ditë për të zgjatur serinë e ‘streaks’ dhe shpërblehen për përkushtimin e tyre. Kjo e kthen stërvitjen në një lojë brenda platformës, më shumë sesa në një detyrim monoton. Përveç ushtrimeve, Onemor sjell elemente kreativ që e bëjnë përvojën edhe më interesante: video javore të personalizuara, mundësi për të ndarë rezultatet me rrethin shoqëror dhe një Gym Buddy virtual, një avatar që motivon përdoruesit gjatë rrugëtimit të tyre.

Qëllimi i Onemor është i thjeshtë: ta bëjë fitness-in po aq tërheqës dhe fleksibël sa një aplikacion që Gen Z përdor çdo ditë. Në një botë ku gjithçka është e aksesueshme me një swipe, edhe stërvitja duhet të jetë po aq afër, e thjeshtë dhe argëtuese. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos