Lumturia është relative. Disa e gjejnë te pasuria materiale, të tjerë mjaftohen me dashurinë e një njeriu pranë. Por kur arrihet lumturia e plotë? Këtë pyetje e ka trajtuar studimi i realizuar nga Universiteti i Harvardit, i cili nisi në vitin 1938 dhe përfshiu 268 studentë – nga të cilët vetëm 19 janë gjallë sot dhe janë rreth 90 vjeç.
Pas dekadash vëzhgimesh, studiuesit arritën në një përfundim: mosha kur njerëzit ndihen më të lumtur është 60 vjeç. Sipas Robert Waldinger, profesor i psikiatrisë dhe drejtues i studimit, nuk janë pasuria, inteligjenca apo gjenet ato që ndikojnë më shumë në lumturinë dhe jetëgjatësinë tonë – por cilësia e marrëdhënieve, shkruan A2 CNN.
"Marrëdhëniet e forta mbrojnë individin nga trishtimi, ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit mendor dhe fizik, dhe madje ndikojnë më shumë se kolesteroli apo gjendja ekonomike", shprehet Waldinger.
- Studiuesit theksojnë tri shtylla kryesore për një jetë të gjatë dhe të lumtur:
- Të duash dhe të jesh i dashur.
- Një martesë e qëndrueshme.
- Kujdesi për trupin dhe shmangia e alkoolit dhe duhanit në mënyrë të tepruar.
Ky studim është një thirrje për të investuar më shumë te njerëzit përreth nesh sesa te pasuria materiale. Në fund të fundit, lumturia nuk matet me gjëra, por me lidhje. Dhe sipas shkencës, të 60-ta është mosha e artë e shpirtit. (A2 Televizion)