Një shpërthim të kontrolluar e konsideron gazetari Mentor Nazarko reagimin e fundit të kryebashkiakut Erion Veliaj nga burgu i Fierit.
Sipas gazetarit, reagimet e Veliajt nuk përbëjnë një përplasje të gjerë politike, por mbeten të përqendruara te disa çështje konkrete, kryesisht beteja për Tiranën dhe statusi i tij në raport me SPAK-un.
Duke folur në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Nazarko u ndal edhe te mundësia që Veliaj të luajë një rol në përplasjet e brendshme të Partisë Socialiste, duke u shprehur se nuk sheh hapësirë për një skenar të tillë, për shkak të izolimit të tij.
“Është shpërthim i kontrolluar, së pari, në pikëpamje të mundësive që ai ka për të shpërthyer. Po kuptohet qartë që në kushtet e izolimit që ka, vështirësive në komunikim, përzgjedhjes së një forme të drejtpërdrejtë komunikimi me shkrim…Duket qartë që ka mundësi të kufizuara për të komunikuar, në këtë kuptim do duhet të quhet shpërthim i kontrolluar. Së dyti do ta quaja të kontrolluara edhe për shkak se tërësia e temave që ai prek në këto reagime s’është i spektrit të gjërë, po prek disa prej temave që supozohet se janë folur me z.Gogu. Nuk është një luftë në stil të gjerë, nuk është një luftë që del jashtë betejës për Tiranës dhe statusit të tij në raport me SPAK-un. Sa i takon rolit të tij eventual në betejën brenda PS-së, unë nuk shoh hapësirë për të, sepse është i izoluar dhe s’mund të mendohet që mund të udhëheqë ndonjë grup që do sfidojë autoritetin e Ramës”. (A2 Televizion)