Zbulohet një fragment papirusi 1700-vjeçar i Odisesë, ja çfarë shkruhet në të

Nga A2 CNN
18 Shtator 2026, 19:07 | Lifestyle

Zbulohet një fragment papirusi 1700-vjeçar i Odisesë, ja

Një zbulim i rëndësishëm ka nxjerrë në dritë një fragment papirusi rreth 1700-vjeçar të veprës së famshme “Odisea” të Homerit. Fragmenti u identifikua nga studiuesi i Universitetit Radboud në Nijmegen, Mark de Kreij, gjatë analizimit të një koleksioni tekstesh të lashta egjiptiane në Bibliotekën e Universitetit të Utrechtit në Holandë.

Pas studimit të dokumentit, ekspertët zbuluan se ai përmban një pjesë nga Kënga XII e “Odisesë”, ku përshkruhet zemërimi i Zeusit mbretit të perëndive, ndërsa ai shqipton një mallkim mbi shokët e udhëtimit të Odisesë.

Sipas rrëfimit mitologjik, marinarët kishin therur dhe ngrënë lopët e shenjta të Heliosit, perëndisë së Diellit, duke shkelur urdhrin hyjnor. Ky veprim solli mallkimin e Zeusit dhe çoi në mbytjen e tyre në det.

Fragmenti i papirusit daton në shekullin IV pas Krishtit dhe ishte ruajtur mes dorëshkrimeve të koleksionit egjiptian të universitetit holandez.

Studiuesit theksojnë se dokumente të tilla janë tepër të vlefshme, pasi ofrojnë informacione të rëndësishme mbi mënyrën se si veprat klasike greke janë kopjuar, ruajtur dhe përhapur në Egjiptin e lashtë dhe në gjithë botën mesdhetare.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos