Dronë, AI dhe ujqër robot, zgjidhja e Japonisë për të mbajtur larg arinjtë

Nga A2 CNN
1 Shtator 2026, 10:51 | Lifestyle

Dronë, AI dhe ujqër robot, zgjidhja e Japonisë për të

Japonia po përdor teknologji të avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale, dronët dhe robotë që imitojnë ujqërit, në përpjekje për të përballuar rritjen e shpejtë të sulmeve dhe shfaqjeve të arinjve pranë zonave të banuara.

Sulmet e arinjve kanë arritur nivele rekord në vend. Sipas të dhënave për periudhën nga prilli 2025 deri në mars 2026, 13 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 220 janë plagosur. Një vit më parë, bilanci ishte tre viktima dhe 82 të plagosur, shkruan A2 CNN.

Ekspertët e lidhin rritjen e përplasjeve mes njerëzve dhe arinjve me tkurrjen e komuniteteve rurale dhe braktisjen e tokave bujqësore, të cilat dikur shërbenin si një zonë tampon mes vendbanimeve dhe pyjeve. Ndërkohë, ndryshimet klimatike kanë ndikuar në furnizimin me ushqim të kafshëve, duke i shtyrë ato të kërkojnë ushqim pranë njerëzve.

Dronë, AI dhe ujqër robot, zgjidhja e Japonisë për të

Japonia vlerësohet të ketë më shumë se 57 mijë arinj, ndërsa vetëm gjatë vitit të kaluar janë regjistruar rreth 50 mijë shfaqje të tyre.

Në prefektura si Gunma, Toyama dhe Ishikawa janë vendosur kamera me sensorë lëvizjeje dhe sisteme të inteligjencës artificiale që identifikojnë arinjtë dhe njoftojnë autoritetet. Në Hokkaido, dronët mund të ngrihen brenda rreth 10 minutash pas raportimit të një ariu dhe ta ndjekin atë derisa të mbërrijnë ekipet në terren.

Dronë, AI dhe ujqër robot, zgjidhja e Japonisë për të

Një tjetër zgjidhje është “Ujku gjigant”, një robot me energji diellore që imiton ulërimën e ujkut të zhdukur japonez. Pajisja, e cila kushton rreth 4 mijë dollarë, është projektuar për të trembur arinjtë dhe për t'i larguar nga tokat bujqësore dhe zonat e banuara. Kompania prodhuese thotë se shitjet janë dyfishuar pas rritjes së shfaqjeve të arinjve në zonat urbane.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se teknologjia nuk është zgjidhje absolute. Kostot dhe vështirësitë e përdorimit në shkallë të gjerë mbeten pengesa.

Dronë, AI dhe ujqër robot, zgjidhja e Japonisë për të

Për këtë arsye, disa zona po përdorin edhe qen race finlandez, Karelian, të trajnuar për të gjurmuar, lehur dhe ndjekur arinjtë larg qyteteve pa i vrarë. Ekspertët japonezë e konsiderojnë kombinimin e teknologjisë dhe metodave jo vdekjeprurëse si një mënyrë për të përmirësuar bashkëjetesën mes njerëzve dhe kafshëve të egra. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos