Nga fustanet elegante dhe syzet e diellit që shënuan një epokë, te kukullat, revistat, bobinat e filmave dhe objekte krejt të pazakonta, mes tyre edhe një formë metalike e gjoksit të Brigitte Bardot. Koleksionisti francez Bruno Ricard ka ndërtuar, për më shumë se katër dekada, një univers të tërë kushtuar ikonës legjendare të kinemasë franceze.
Gjithçka nisi rastësisht, 40 vite më parë, në një treg rruge. Mes sendeve të vjetra, Ricard vuri re një disk vinili me emrin e Brigitte Bardot të shkruar qartë. I shtyrë nga kurioziteti, ai e bleu për 150 franga, një shumë e konsiderueshme për kohën. Ai moment do të shënonte fillimin e një pasioni që, me kalimin e viteve, do të kthehej në mision jete.
Sot, më shumë se 200 mijë objekte të lidhura me Brigitte Bardot ruhen në apartamentin e tij me një dhomë gjumi pranë Parisit. Çdo cep i shtëpisë është i mbushur me kujtime, relike filmike dhe dëshmi të një figure që la gjurmë të pashlyeshme në kinemanë dhe kulturën franceze.
“Është më shumë se një pasion. Është jeta ime. Janë 40 vite të jetës sime”, rrëfen Ricard për Reuters.
Brigitte Bardot, e njohur në Francë thjesht si “B.B.”, ndërroi jetë më 28 dhjetor 2025 në moshën 91-vjeçare. Vitet e saj të fundit u karakterizuan nga një angazhim i palëkundur për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve, por edhe nga qëndrime politike që shpesh shkaktuan polemika.
Në koleksionin e Ricard-it gjenden syzet që Bardot mbante në filmin “Ariu dhe Kukulla”, fustani Dior i veshur prej saj, posterë origjinalë filmash, tabela autentike xhirimi dhe objekte personale që rrallë janë parë nga publiku. Ai ruan gjithashtu shqiponjat metalike të përdorura në videoklipin legjendar “Harley Davidson” të Serge Gainsbourg, nga të cilat ekzistojnë vetëm disa kopje në botë.
Një nga objektet më të rralla dhe më të komentuara është një formë metalike e gjoksit të Brigitte Bardot, e realizuar nga një ish-partner i saj. Sipas Ricard-it, në botë ekzistojnë vetëm rreth 20 kopje të tilla. “Kur e rrotullon, e kupton menjëherë. Është një relike unike”, thotë ai.
Dhoma e gjumit e koleksionistit është shndërruar në një muze privat: këpucë me emrin “Brigitte Bardot”, figura kartoni, kukulla të personalizuara, gazeta dhe revista me tituj sensacionalë të viteve ’50 dhe ’60, sapunë me fytyrën e saj dhe fotografi që mbulojnë muret nga dyshemeja në tavan.
Mes objekteve ndodhen edhe veshje origjinale të përdorura nga Bardot në filma si “Historia ndriçuese dhe e gëzueshme e Colinot”, reçipeta metalike e veshur në filmin “Rum Runners” përkrah aktorit Lino Ventura, si edhe një balsam buzësh i përdorur prej saj, me inicialet “BB” të gdhendura në pjesën e pasme.
Një tjetër thesar i rrallë është një skulpturë metalike në stil egjiptian që përfaqëson Brigitte Bardot. Ekzistojnë vetëm dy kopje në botë: njëra ndodhet në vilën e saj legjendare “La Madrague” në Saint-Tropez, ndërsa tjetra ruhet nga Ricard.
“Brigitte përfaqësonte gruan me G të madhe”, thotë ai. “Më falni për shprehjen, por ishte e vetmja grua që njihja që kishte guxim të jashtëzakonshëm. Nëse ajo nuk ngrinte zërin, kush do ta bënte? Politikanët? Ata mendojnë vetëm për privilegjet e tyre. Brigitte mendonte për kafshët, për drejtësinë, për zërin e atyre që nuk dëgjohen.”
Në koleksion gjenden edhe bustet e Bardot si simboli francez Marianne, mesazhe dhe letra personale që ajo i ka dërguar Ricard-it ndër vite, si dhe një broshurë e vitit 1956 me autografët e Brigitte Bardot dhe ikonës amerikane Marilyn Monroe. Ricard tregon se e ka njohur Bardot personalisht dhe se ajo e ka pritur disa herë në shtëpinë e saj në Saint-Tropez. “Nuk ka njeri më të thjeshtë se ajo. Të priste zbathur, sikur të të njihte prej dekadash. Një thjeshtësi biblike. Është e vështirë ta imagjinosh që kjo ishte Brigitte Bardot.”
Brigitte Bardot prehet pranë detit, në qytetin që ajo e quante shtëpi, pranë prindërve të saj. Ndërsa për Bruno Ricard-in, koleksioni mbetet jo thjesht një arkiv objektesh, por një histori jete, një lidhje emocionale dhe një dëshmi e pavdekshme e një ikone që vazhdon të jetojë përmes kujtimeve. “Nuk mund ta shpjegoj dhimbjen”, thotë ai. “Kur shoh një kafshë të keqtrajtuar, mendoj për Brigitte. Është sikur ajo vetë po vuante.” (A2 Televizion)