
Aktori i njohur amerikan Mickey Rourke po përballet me një tjetër problem serioz personal dhe financiar, pasi rrezikon të dëbohet nga banesa e tij në Los Angeles për shkak të një shume të konsiderueshme qiraje të papaguar. Sipas dokumenteve të depozituara në Gjykatën e Lartë të Los Angeles-it dhe të siguruara nga Daily Mail, Rourke, 73 vjeç, i detyrohet pronarit të shtëpisë afro 59 mijë dollarë.
Aktori kishte nënshkruar kontratën e qirasë më 30 mars, për një shtëpi me tre dhoma gjumi dhe 2.5 banjo, me qira fillestare 5200 dollarë në muaj. Më pas, qiraja është rritur në 7000 dollarë. Më 18 dhjetor, atij iu dorëzua një njoftim tre-ditor për të shlyer detyrimin ose për të liruar banesën, por sipas padisë, pagesa nuk është kryer.
Pronari i banesës, Eric T. Goldie, kërkon gjithashtu përfundimin e kontratës dhe pagesën e shpenzimeve ligjore. Shtëpia, e ndërtuar në vitin 1926, ndodhet në zonën Beverly Grove dhe ka vlerë historike, pasi në vitet ’40 ka qenë e banuar nga shkrimtari i famshëm Raymond Chandler.
Më herët këtë vit, Rourke, u përjashtua nga Celebrity Big Brother më herët këtë vit për sjellje dhe gjuhë të papranueshme ndaj një konkurrenteje. Dikur yll i Hollivudit, karriera dhe jeta personale e aktorit vazhdojnë të shoqërohen nga polemika dhe vështirësi. (A2 Televizion)