Nga bujtinat, hotelet, apartamentet, agroturizmat, restorante, kafene, club-e e deri tek stacionet e plazheve apo aktivitetet ujore, të gjithë do të jenë në lupën e administratës tatimore, si pjesë e plani për kontrollet në sektorin e turizmit për këtë vit.
Plani me 8 pika i Administratës Tatimore synon të rrisë numrin e bizneseve që paguajnë TVSH apo tatim mbi fitimin, duke goditur evazionin fiskal dhe bizneset që operojnë të paregjistruar, shkruan A2 CNN. Po kështu do të ketë kontrolle mbi deklarimin e shfrytëzimit të hoteleve e deri tek verifikimet e për punonjës të padeklaruara apo tek paga jo reale.
Për të goditur evazionin tatimet do të merren të dhëna edhe nga platformat Booking, AIRBNB, për verifikimin e çmimeve që ofrojnë strukturat akomoduese. Pra nëse deklarojnë çmimet reale për dhomat e tyre apo jo.
Tatimet thonë se këto masa ndërmerren për të ulur informalitetin në sektorin e turizmit dhe do të shtrihen nga strukturat akomoduese, hotelet, bar-restorantet, agjencitë turistike dhe mjeteve te transportit ujor.
Në plan thuhet se do të përfshihen në këto kontrolle të gjithë subjektet me NIPT, ata që janë identifikuar nëpërmjet Booking apo Airbnb si dhe ato tatimpagues që janë të regjistruar në ministri të Turizmit ose që kanë marrë fonde nga AZHBR.
Në kuadër të zbatimit të këtij plani, Administrata Tatimore do të nisë me njoftime drejtuar tatimpaguesve të këtij sektori në platformën e-Filing për informim të menjëhershëm, do vijohet me kontrolle të detajuara për subjektet me risk dhe më pas verifikime në terren për deklarimet e subjekteve. (A2 Televizion)