
Ish-aktori i njohur i Nickelodeon, Tylor Chase, është shtruar në një spital në Kaliforninë Jugore, pasi miq, familjarë dhe ish-kolegë u bashkuan për t’i ardhur në ndihmë pas një periudhe të gjatë ku ai jetonte në rrugë. Lajmi vjen pas pamjeve virale që tronditën fansat, ku Chase shihej i pastrehë dhe në gjendje të rënduar shëndetësore e emocionale, transmeton A2.
Sipas burimeve për Daily Mail, ndërhyrja u bë pas koordinimit mes babait të Chase, ish-bashkëpunëtorëve dhe influencuesit Jake Harris. Autoritetet shëndetësore vendosën se aktori kishte nevojë për trajtim të menjëhershëm dhe ai u dërgua në spital për një qëndrim 72-orësh nën kujdes mjekësor.
Ish-kolegët e tij nga seriali “Ned’s Declassified School Survival Guide”, përfshirë Daniel Curtis Lee dhe Shaun Weiss, kanë shprehur publikisht shqetësimin dhe shpresën se kjo është një hap drejt rikuperimit të plotë. Weiss, i cili vetë ka kaluar një periudhë të vështirë me varësinë dhe shëndetin mendor, u angazhua personalisht për ta ndihmuar Chase të largohej nga rruga dhe të pranonte trajtimin mjekësor.
Në videot e publikuara së fundmi, Chase dukej në prag të Krishtlindjes, mes shiut të dendur, duke pranuar ndihmë nga qytetarë të rastësishëm që i dhanë ushqim, rroba dhe luteshin për të. Nëna e tij ka kërkuar që njerëzit të mos i japin para drejtpërdrejt, duke theksuar se kjo mund ta rrezikojë më shumë, ndërsa ka bërë të ditur se dera e shtëpisë së saj mbetet e hapur për të birin. (A2 Televizion)