Aktori britanik Tom Holland është dërguar me urgjencë në spital pasi pësoi një aksident gjatë një skene të rrezikshme në xhirimet e filmit Spider-Man: Brand New Day, ditën e premte.
Sipas mediave britanike 29 vjeçari ka rënë dhe ka goditur kokën fort, duke pësuar një dëmtim dhe më pas është trajtuar për një tronditje cerebrale.
Ngjarja ndodhi në studiot Leavesden në Watford gjatë xhirimeve për filmin me buxhet prej 150 milionë paund, të cilat pas incidentit me Holland janë pezulluar, dhe pritet të qëndrojnë në pauzë për disa javë derisa aktori të rikuperohet plotësisht.
Një zëdhënës i Shërbimit të Ambulancës së Anglisë Lindore i tha gazetës The Sun: "Na u bë thirrje në orën 10:30 të mëngjesit ditën e premte për të ndihmuar një pacient që kishte pësuar një dëmtim në Leavesden Studios në Watford. U dërgua një ambulancë në vendngjarje dhe pacienti u transportua në spital për trajtim të mëtejshëm."
Babai i aktorit, Dominic Holland, mori pjesë në një darkë bamirësie në Mayfair të dielën dhe konfirmoi se djali i tij “do të mungojë për pak kohë nga xhirimet”.
Tom ishte gjithashtu i pranishëm në eventin në fjalë, ku u fotografua me partneren dhe yllin tjetër të filmit, Zendaya. Megjithatë, raportohet se ai u largua herët nga ngjarja pasi nuk ndihej mirë.
Më herët gjatë këtij viti ishte njoftuar se Spider-Man 4 do të publikohej më 31 korrik 2026, por pas këtij incidenti, data e publikimit mund të ndryshojë përsëri.
Tom ka një orar shumë të ngjeshur aktualisht, pasi ai dhe e fejuara e tij Zendaya po xhirojnë gjithashtu edhe filmin The Odyssey, një përshtatje nga regjisori Christopher Nolan e epopesë së famshme të Homerit. (A2 Televizion)