Ndahet nga jeta Giorgio Armani, mjeshtri i elegancës italiane

Nga A2 CNN
4 Shtator 2025, 15:30 | Showbiz

Bota e modës dhe e kulturës ka humbur një nga figurat më të mëdha të saj. Giorgio Armani, stilisti legjendar italian, u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë, raporton A2 CNN. Për nder të tij, nga e shtuna 6 shtator deri të dielën, do të hapet një homazh publik në Milano, në via Bergognone 59, pranë Armani/Teatro, ndërsa funerali do të mbahet në formë private, sipas dëshirës së vetë stilistit.

I lindur në Piacenza më 11 korrik 1934, Armani u transferua që i ri në Milano, ku nisi fillimisht studimet për mjekësi, të cilat i braktisi për pasionin e tij të madh, modën. Në vitin 1975 themeloi së bashku me Sergio Galeottin shtëpinë e tij të modës, Giorgio Armani S.p.A., duke ndërtuar një perandori që do të bëhej simbol i elegancës italiane.

Stili i tij minimalist e revolucionar shënoi një kthesë historike në modën botërore. Nga xhaketa e destrukturuar e viteve ’70, te ikonat e viteve ’80 si “American Gigolo” me Richard Gere, Armani i dha elegancës një gjuhë të re: linja të pastra, nuanca neutrale dhe luks të thjeshtë. Me linja si Emporio Armani dhe Armani Privé, ai arriti të prekë breza të rinj, tapetet e kuq të Hollivudit dhe skenat muzikore, duke veshur emra si Madonna, Beyoncé, Cate Blanchett, Leonardo DiCaprio e shumë të tjerë.

Armani pati një lidhje të fortë edhe me sportin, duke u bërë sponsor i ekipeve të njohura dhe dizenjues i uniformave të Kombëtares Olimpike Italiane. Për kontributin e tij, mori nderimet më të larta të Italisë dhe Francës, si dhe çmime prestigjioze për artin, kinemanë dhe dizajnin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos