Riadi, kryeqyteti i Arabisë Saudite, ka hyrë në një epokë të re të transportit publik me hapjen e metrosë së re automatike, më e gjata në botë pa drejtues. Projekti madhështor, i cili kushtoi mbi 22 miliardë dollarë, u inaugurua në dhjetor 2024 dhe përfshin gjashtë linja me një gjatësi totale prej 176 kilometrash, duke lidhur pikat më të rëndësishme të qytetit, nga aeroporti ndërkombëtar King Khalid deri tek distrikti financiar King Abdullah (KAFD).
Stacione që të lënë pa fjalë
Riyadh Metro ka 85 stacione, disa prej tyre tashmë janë kthyer në atraksione turistike falë arkitekturës së tyre, përcjell A2 CNN. Një nga më të spikaturit është Qasr Al Hokm, projektuar nga firma norvegjeze Snøhetta. Ky stacion gjigant, me shtatë kate nën tokë, 17 ashensorë, 46 shkallë lëvizëse dhe një kupolë çeliku të lakuar që pasqyron pamjen e jashtme, ofron gjithashtu hapësira për dyqane, ekspozita arti dhe një kopsht të brendshëm.
Po aq mbresëlënës është stacioni i King Abdullah Financial District, i projektuar nga Zaha Hadid Architects, me fasadën e tij valëzuese të frymëzuar nga format e shkretëtirës. Ndërkohë, stacioni STC, i projektuar nga arkitektët gjermanë Gerber Architekten, merr frymëzim nga formacionet e maleve Tuwaiq, ndërsa Western Station në Al Sweedi është krijuar nga firma saudite Omrania.
Përvoja e udhëtimit
Trenat janë modernë, të pajisur me sisteme frenimi që rigjenerojnë energji dhe stacionet përdorin panele diellore, duke i dhënë projektit një dimension të fortë të qëndrueshmërisë. Biletat janë të përballueshme: një udhëtim dyorësh kushton vetëm 4 riale saudite (rreth 1 dollar), ndërsa një abonim mujor 140 riale (37 dollarë).
Si në shumë qytete të botës myslimane, edhe këtu trenat janë të ndarë: vagonë për burra të vetëm, për familje e gra, si dhe një seksion të klasit të parë për udhëtarët VIP. Brenda, pastërtia është absolute, ndalohet ngrënia dhe pirja dhe sediljet mbajnë motive të frymëzuara nga arkitektura tradicionale e Riadit. Trenat qarkullojnë çdo katër minuta në orët e pikut dhe, ndonëse hapësira është e bollshme, udhëtarët shpesh duhet të qëndrojnë në këmbë për shkak të kërkesës së lartë.
Nga transport në atraksion turistik
Disa stacione, si Qasr Al Hokm, janë kthyer tashmë në destinacione turistike të vetëqëndrueshme. Banorët shpesh i rekomandojnë vizitorëve të mos humbasin rastin për të parë këto “xhevahire arkitekturore”, krahas atraksioneve të njohura si Sky Bridge apo Boulevard World.
Një arritje historike
Vetëm gjashtë muaj pas hapjes, metroja kishte tejkaluar pritshmëritë, duke transportuar mbi 100 milionë pasagjerë. Megjithatë, trafiku në qytet mbetet i rënduar, një sfidë që lidhet më shumë me urbanistikën e Riadit sesa me funksionimin e metrosë. Autoritetet saudite kanë tashmë plane për një linjë të shtatë, që do të lidhë Qiddiya Entertainment City, Diriyah Gate dhe King Abdullah International Gardens.
Sipas Ibrahim bin Mohammed Al Sultan, kreut të Komisionit Mbretëror për qytetin e Riadit, metroja përfaqëson “një gur historik kilometrik në zhvillimin urban dhe social të kryeqytetit, që do të lehtësojë jetën e përditshme të qytetarëve, banorëve dhe vizitorëve, duke ofruar një përvojë udhëtimi urbane të nivelit botëror”.
Metronë e Riadit tashmë e cilësojnë jo vetëm si një projekt transporti, por edhe si një atraksion kulturor e turistik që ka filluar të ndryshojë identitetin e kryeqytetit saudit. (A2 Televizion)