Një “ushtri” prej 100 mijë robotësh, i hapet rrugë projektit gjigant për të sfiduar Kinën

Nga A2 CNN
19 Shtator 2025, 14:32 | Teknologji

Një “ushtri” prej 100 mijë robotësh, i hapet

Teknologjia po ndryshon me shpejtësi jetën e përditshme, nga detajet më të vogla deri tek zhvillimet më të mëdha në shkencë, ekonomi e shëndetësi. Një nga fushat më dinamike është ajo e robotikës dhe inteligjencës artificiale, që po shndërrohen në aktorë kyç të së ardhmes.

Në Kinë, kompania Zhiyuan Robotics ka nisur prodhimin e robotëve humanoidë për përdorim në shtëpi, me synimin për të ndërtuar 1.000 njësi deri në fund të vitit. Por rivaliteti më i madh vjen nga Shtetet e Bashkuara.

Kompania amerikane Figure AI ka njoftuar një marrëveshje të rëndësishme me një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë në vend, duke hapur rrugën për prodhimin masiv të humanoidëve. Sipas CEO-së Brett Adcock, në katër vitet e ardhshme pritet të prodhohen dhe dërgohen deri në 100 mijë robotë humanoidë për përdorim në jetën e përditshme, shkruan A2 CNN.

Adcock ka theksuar se ajo do të ulë kostot e prodhimit dhe do të përmirësojë mbledhjen e të dhënave për inteligjencën artificiale. Më herët, Figure AI kishte nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me BMW.

Strategjia e kompanisë synon dy tregje kryesore: atë komercial, me aplikime në prodhim dhe logjistikë, dhe atë shtëpiak, me funksione që shkojnë nga ndihma në punët e përditshme deri tek kujdesi shëndetësor.

Versioni më i fundit i robotit, Figure 02, arrin shpejtësi ecjeje 1,2 metra në sekondë dhe ka aftësi të mësojë detyra komplekse përmes inteligjencës artificiale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos