Gati revolucioni i fluturimeve, NASA po teston avionin që do lëvizë me shpejtësi rekord

Nga A2 CNN
11 Shtator 2025, 17:21 | Teknologji

Gati revolucioni i fluturimeve, NASA po teston avionin që do

Prej dekadash, ligji në Shtetet e Bashkuara ka ndaluar avionët të fluturojnë mbi shpejtësinë Mach 1, kufiri supersonik, për të shmangur ndotjen akustike nga “boom”-et e zhurmshme. Përjashtim ishte Concorde, avioni legjendar supersonik që u tërhoq nga qarkullimi në vitin 2003. Sot, 22 vite më vonë, duket se aviacioni është pranë një kthese historike, nisja e një epoke të re fluturimesh supersonike komerciale.

Në Kongresin amerikan është paraqitur një projektligj që synon ndryshimin e kësaj ndalese, duke hapur rrugën për linja supersonike mbi SHBA dhe fluturime transkontinentale më të shpejta. Paralelisht, në industrinë e aviacionit po zhvillohen dy projekte madhore. NASA po teston avionin eksperimental X-59, i cili pritet të kryejë fluturimet e para provë në fund të vitit 2025. Ky avion inovativ synon të zëvendësojë shpërthimin tipik supersonik me një zhurmë shumë më të butë, të përshkruar si një “goditje e shurdhët”.

Ndërkohë, kompania Boom Supersonic po zhvillon Overture, avionin e parë të pasagjerëve supersonik pas Concorde-it. Prototipi i parë i motorit pritet të ndërtohet brenda këtij viti, ndërsa linja ajrore si American Airlines, Japan Airlines dhe United Airlines kanë shprehur interes për ta futur në flotën e tyre deri në fund të dekadës.

Overture premton një shpejtësi lundrimi prej Mach 1.7, duke reduktuar kohën e fluturimeve transkontinentale deri në gjysmën e saj. Me një kapacitet prej 80 pasagjerësh dhe një autonomi prej 4.888 miljesh, avioni do të ofrojë luks krahasuar me klasën ekzekutive të avionëve aktualë, shkruan A2 CNN.

Megjithatë, ka edhe sfida: konsumon deri në tre herë më shumë karburant për pasagjer krahasuar me avionët modernë si Airbus A350 apo Boeing 787. Për një fluturim New York–Londër, biletat do të kushtonin rreth 4.830 dollarë vetëm vajtje, rreth 38% më shumë se çmimet aktuale në klasën ekzekutive.

Nëse këto plane realizohen, fundi i dekadës mund të sjellë një revolucion në udhëtimet ajrore – rikthimin e shpejtësisë supersonike, këtë herë me teknologji më të qetë e më të sofistikuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos