Meta dhe YouTube shpallen përgjegjës për dëmtimin e shëndetit mendor të një 20-vjeçarerje

Nga A2 CNN
26 Mars 2026, 08:21 | Teknologji

Meta dhe YouTube shpallen përgjegjës për dëmtimin e

Një juri në Los Anxhelos ka dhënë një vendim të paprecedentë kundër Meta-s dhe Google, duke i shpallur përgjegjëse për dëmtimin e shëndetit mendor të një të reje që u bë e varur nga rrjetet sociale që në fëmijëri.

20-vjeçarja, e identifikuar si Kaley, fitoi një dëmshpërblim prej 6 milionë dollarësh, nga të cilat 3 milionë janë kompensim dhe 3 milionë dëmshpërblim.

Juria arriti në përfundimin se kompanitë ndërtuan platforma “që krijojnë varësi” dhe vepruan me dashakeqësi apo neglizhencë ndaj përdoruesve të rinj. Sipas vendimit, Meta do të marrë përsipër 70% të shumës së dëmshpërblimit, ndërsa Google 30%.

Padia u fokusua kryesisht tek Instagram dhe YouTube, të cilat, sipas avokatëve të Kaley, janë ndërtuar me mekanizma si “scroll”-i i pafund për të mbajtur përdoruesit të lidhur për orë të gjata. Kaley dëshmoi se nisi përdorimin e YouTube në moshën 6 vjeç dhe Instagram në moshën 9 vjeç, pa asnjë pengesë për moshën.

Ajo tregoi se kalonte deri në 16 orë në ditë në rrjete sociale dhe zhvilloi ankth, depresion dhe çrregullime të imazhit trupor.

Meta dhe Google e kundërshtuan vendimin dhe njoftuan se do ta apelonin. Sipas tyre shëndeti mendor i adoleshentëve është kompleks dhe nuk mund t’i atribuohet një platforme të vetme.

“Shëndeti mendor i adoleshentëve është thellësisht kompleks dhe nuk mund të lidhet me një aplikacion të vetëm. Ne do të vazhdojmë të mbrohemi me forcë pasi çdo rast është i ndryshëm, dhe mbetemi të sigurt në të dhënat tona të mbrojtjes së adoleshentëve në internet", tha Meta.

Një zëdhënës i Google tha: “Ky rast keqkupton YouTube-in, i cili është një platformë transmetimi e ndërtuar me përgjegjësi, jo një faqe mediash sociale.”

Vendimi i Los Anxhelosit erdhi një ditë pasi një juri në Neë Mexico e gjeti Meta-n përgjegjëse për mënyrën se si platformat e saj rrezikonin fëmijët dhe i ekspozonin ata ndaj materialeve seksuale eksplicite dhe kontaktit me grabitqarët seksualë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos