Meta gjobitet me 25 miliardë dollarë 

Nga A2 CNN
22 Tetor 2026, 15:25 | Teknologji

Meta gjobitet me 25 miliardë dollarë 

Meta është dënuar me 25 miliardë dollarë gjobë nga një gjykatë në shtetin amerikan të Nju Meksikos, pas një procesi gjyqësor që zgjati dy javë dhe shqyrtoi praktikat e kompanisë për mbrojtjen e të dhënave personale.

Sipas vendimit të gjyqtarit Francis Mathew, kompania ka mashtruar publikun për mënyrën se si trajtonte të dhënat e përdoruesve të Facebook, si dhe për politikat kundër përmbajtjeve që nxisin urrejtje dhe mënyrën e zbatimit të tyre, shkruan A2 CNN.

Gjyqtari deklaroi se shkeljet ishin të qëllimshme dhe kishin zgjatur nga viti 2010 deri në vitin 2021. Komunikimet mes drejtuesve të lartë të kompanisë, përfshirë themeluesin Mark Zuckerberg, sipas vendimit, ishin hartuar për të çorientuar publikun.

Juria konstatoi se Meta kishte shkelur ligjet e shtetit më shumë se 40 milionë herë. Autoritetet argumentuan se mashtrimi lidhur me kontrollin e të dhënave prekte rreth dy milionë banorët e Nju Meksikos.

Çështja lidhet pjesërisht me skandalin Cambridge Analytica, ku të dhënat e miliona përdoruesve të Facebook u përdorën nga një kompani konsulence politike, përfshirë në veprimtarinë e lidhur me zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.

Prokurori i Përgjithshëm i Nju Meksikos, Raúl Torrez, deklaroi se vendimi tregon se asnjë korporatë nuk është aq e fuqishme sa të jetë mbi ligjin.

Meta i ka kundërshtuar akuzat dhe ka njoftuar se do ta apelojë vendimin. Avokati kryesor i kompanisë, CJ Mahoney, argumentoi se vendimi e bën pothuajse të pamundur ushtrimin e aktivitetit të saj në këtë shtet.

Kompania po planifikon të investojë të paktën 135 miliardë dollarë këtë vit, kryesisht në inteligjencën artificiale. Pavarësisht kostove të larta, të ardhurat e saj u rritën me 26% në periudhën korrik-shtator, duke arritur në 64,5 miliardë dollarë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos